|
|
|
Rijadu Salihin pjesa e parë
E Martë, 23 Shkurt 2010; 13:06
RIJADU SALIHIN - I
Nga Imam Neveviu
1. Nga emiri i besimtarëve, Ebu Hafse Umer ibn el Hattab ibn Nufejl ibn Abduluzzi ibn Rijah ibn Abdil-lah ibn Kurt ibn Rezah ibn Adijj ibn Ka'b ibn Luejj ibn Galib el Kurshijj el-Adevijj, All-llahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: "E kam dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s) duke thënë: "Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të All-llahut dhe Të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për All-llahun dhe Të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër, shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur". (Muttefekun alejhi)
2. Transmetohet nga Ebu Abdull-llah Xhabir ibn Abdull-llah el-Ensarijj r.a., që thotë: "Në një betejë ishim me Të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s) me ç'rast na tha: "Vërtet në Medine ka burra të cilët kanë qenë me ju, qoftë kur keni ecur nëpër kodra, qoftë nëpër lugina. Ata i ka penguar sëmundja". Sipas një transmetimi tjetër: "Ata janë pjesëmarrës me ju në shpërblim". (Muslimi)
3. Kurse sipas transmetimit të Buhariut, hadithi i transmetuar nga Enesi r.a. thotë: "Ne u kthyem nga beteja e Tebukut me Të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s) i cili tha: "Vërtet ka njerëz të cilët kanë mbetur në Medine pas nesh, e të cilët janë me ne kudo që të shkojmë; në kodra apo në lugina, ata i ka penguar sëmundja".
4. Transmetohet nga Ebu Jezid Ma'n ibn Jezid ibn Ahnes r.a., babai dhe gjyshi i të cilit kanë qenë as-habë, se ka thënë: "Babai im Jezidi, i ka marrë disa dinarë (prej ari) që t'i ndajë sadaka dhe i lë te një njeri në xhami. Pastaj unë shkova, i mora dhe i solla, e ai më tha: "Pasha All-llahun, unë nuk t'i kam destinuar ty". U ankova për të tek I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i cili na tha: "E jotja është ajo çka ke vendos, o Jezid, kurse e jotja ajo që e ke marrë o Ma'n". (Buhariu)
5. Transmetohet nga Ebu Hurejre Abdurrahman ibn Sahr r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet All-llahu nuk shikon në trupat tuaj as në fizionomitë tuaja, por shikon në zemrat tuaja". (Muslimi)
6. Transmetohet nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh'arij r.a. që thotë: "E kanë pyetur Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. për njeriun që lufton për të treguar trimëri, që lufton për fanatizëm (nacional, fisnor ose familjar) dhe për sy të botës, cila prej këtyre (luftërave) është në rrugë të All-llahut?" I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. thotë: " Kush lufton (me armikun) vetëm për dominim dhe epërsi të fjalës së All-llahut (fesë së Tij - Islamit), vetëm ai është në rrugë të All-llahut". (Muttefekun alejhi)
7. Nga Ebu Bekrete Nufej'i ibn el-Harith eth-Thekafijj transmetohet se Pejgamberi (s.a.v.s) ka thënë: "Kur të përleshen dy muslimanë me shpatat e tyre (për ta vrarë njëri-tjetrin), edhe vrasësi edhe i vrari janë në zjarr". Atëherë i thashë: "O I Dërguari i All-llahut, për vrasësin është e qartë, por përse edhe i vrari?" Pejgamberi atëherë përgjigjet: "Sepse edhe i vrari ka dëshiruar ta vret shokun e vet". (Muttefekun alejhi)
8. Ebu Hurejre r.a. përcjell se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: "Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i tij në shtëpinë e tij apo diku tjetër për njëzet e disa shkallë. Kush merr abdest, në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim që ta falë namazin në xhemat, duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami, e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa i ka marrë kohën namazi (në xhami). Secilin prej jush e bekojnë engjëjt, derisa të gjendet në vendin ku është falë namazi, ata thonë: "O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin". Engjëjt veprojnë kështu përderisa njeriu të mos fillojë t'u pengojë të tjerëve, apo ta prish abdestin në xhami". (Muttefekun alejhi)
9. Transmetohet nga Ebu-l-Abbas Abdull-llah ibn Abbas ibn Abdul-Mutalib r.a., nga I Dërguari i All-llahut s.a.v.s., se All-llahu i Madhërishëm ka thënë: "Vërtet All-llahu i ka përcaktuar cilat janë veprat e mira e cilat të këqija, pastaj i ka sqaruar ato: Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë por nuk mund ta kryejë, All-llahu në tërësi do t'ia shkruajë atë vepër si të kryer, kurse nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, All-llahu do t'ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqindherë më tepër. Por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, All-llahu do t'i shkruajë një vepër të mirë në tërësi, kurse nëse dëshiron dhe kryen një vepër të keqe, atëherë All-llahu ia shënon vetëm një vepër të keqe". (Muttefekun alejhi)
10. Transmetohet nga Abdurrahman Abdull-llah ibn Umer ibn el-Hattab r.a. se ka thënë: E kam dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për në rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: "Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim All-llahun e madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira".
Njëri prej tyre tha: "O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pijnë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më hutoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk ju erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t'i trazoj, por edhe që t'i ushqej para tyre familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur, të cilëve u kam dhënë qumësht pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellur. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!" Shkëmbi pak u lëviz, por jo edhe aq sa të mund të dalin!
Njeriu i dytë tha: "O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, - sipas një transmetimi tjetër - e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbretëronte uria e kushërira e dashur u detyrua të vijë tek unë dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet vetëm ajo me mua, dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë plotësisht e përfitova, - sipas një transmetimi tjetër - kur i bashkova këmbët e mia me të saj, ajo (duke qarë) më tha: "Frikësoju All-llahut dhe mos e përbiro unazën (mos e kryej aktin) pa të drejtë". Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!" Shkëmbi përsëri edhe pak lëvizi nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.
Njeriu i tretë tha: "O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu i cili u largua para se ta marrë mëditjen. Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si duhet dhe pasuria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: "O robi i Zotit, m'i jep të hollat për mëditjen time të papaguar!" Unë i thashë: "Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devet dhe robërit janë prej mëditjes tënde që është shtuar". Ai tha: "O robi i Zotit, mos u tall me mua!" Unë atëherë i thashë: "Unë nuk po tallem me ty", pastaj e mori tërë mallin dhe e çoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!" Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëtarët dolën dhe e vazhduan rrugën!" (Muttefekun alejhi)
Të gjithë dijetarët islamë janë të një mendimi, se tevbeja (pendimi dhe lënia, braktisja e mëkateve) është obligim i fortë islam (vaxhib). Nëse mëkati ka të bëjë vetëm me All-llahun e jo edhe me të drejtën e ndonjë njeriu, atëherë pendimi ka tre kushte. I pari, që menjëherë të largohet nga mëkati, i dyti që me zemër të bëhet pendimi për kryerjen e tij dhe i treti, që paluhatshëm të vendoset që asnjëherë të mos i kthehet të njëjtit mëkat. Nëse mungon njëri prej këtyre kushteve atëherë pendimi nuk është i vlefshëm.
Nëse mëkati ka të bëjë me ndonjë njeri atëherë pendimi ka katër kushte: tre të theksuarit dhe (i katërti) borxhin t'ia kthejë atij që i ka borxh. Nëse borxhi është i natyrës materiale atëherë të njëjtin ia kthen, kurse nëse mëkati është i atillë që ka dënim më të madh gjyqësor ose të ngjashëm, atëherë është i obliguar të mundësojë ekzekutimin e dënimit ndaj tij, ose të kërkojë falje nga ai të cilin e ka dëmtuar, e nëse ka të bëjë me ofendim gjuhësor - atëherë do t'ia kërkojë hallallin personit të cilin e ka ofenduar.
Pendimi duhet të bëhet për të gjitha mëkatet. Nëse pendimi bëhet vetëm për disa mëkate - ai është i vlefshëm - dhe i falen ato mëkate, por të tjerat i mbesin pa iu falë. Për domosdoshmërinë e pendimit dhe braktisjes së mëkateve ekzistojnë shumë argumente të Librit të All-llahut, të Sunnetit të Pejgamberit dhe të Ixhmai Ummetit.
All-llahu i Madhërishëm thotë:
"...Dhe të gjithë pendohuni tek All-llahu, o besimtarë, ndoshta do të shpëtoni". (en-Nur, 31)
"Dhe që të kërkoni falje nga Zoti juaj dhe të pendoheni". (Hud, 3)
"O besimtarë! Pendohuni tek All-llahu me sinqeritet të thellë" (Tahrim, 
11. Ebu Hurejre r.a. thotë se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Pasha All-llahun, unë i drejtohem me tevbe dhe istigfar All-llahut për mëshirë dhe falje më tepër se shtatëdhjetëherë në ditë". (Buhariu)
12. Nga el-Egarr ibni Jesar el-Muzennij r.a. transmetohet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "O njerëz, drejtohuni All-llahut me tevbe dhe kërkim për falje, edhe unë i bëj tevbe All-llahut nga njëqindherë në ditë". (Muslimi)
13. Ebu Hamza Enes ibni Malik el-Ensarij r.a, shërbëtori i Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. thotë se Alejhisselami ka thënë: "All-llahu më tepër gëzohet për pendimin e robit të vet se sa që do të gëzohej ndonjëri prej jush kur do ta gjente devenë e humbur në shkretëtirë, pa ujë dhe fryte". (Muttefekun alejhi)
Ndërsa sipas transmetimit të Muslimit, ky hadith është si vijon: "All-llahu më tepër gëzohet për pendimin (tevben) e robit të vet kur të pendohet, se ndonjëri prej jush i cili ka udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë, e i humbet, kurse me të edhe i tërë uji dhe ushqimi, e kërkon por e humb shpresën për ta gjetur, pastaj vjen nën një lis dhe nga lodhja shtrihet nën hijen e tij me shpresë të humbur, dhe duke qenë në këtë gjendje, e sheh devenë e vet duke qëndruar përpara tij, ai ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh bërtet: "O Zoti im! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt" duke u shprehur gaboi nga gëzimi i fortë".
14. Nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh'arij r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet All-llahu i Madhërishëm gjatë natës e mban të shtrirë dorën për të pranuar pendimin e mëkatarëve të ditës; dhe e shtrin dorën gjatë ditës për të pranuar pendimin e mëkatarëve të natës, derisa të lind Dielli nga Perëndimi". (Muslimi)
15. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush pendohet para se të lind Dielli nga Perëndimi, All-llahu do ta falë". (Muslimi)
16. Nga Ebu Abdurrahman Abdull-llah ibn Umer ibn el-Hattab përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet All-llahu i Gjithëfuqishëm e pranon pendimin e robit të vet deri para gargarës së tij (frymës së tij të fundit)". (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)
17. Nga Ebu Seid Sa'd ibn Malik ibn Sinan el-Hudrij r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Moti para jush ka qenë një njeri që ka vrarë nëntëdhjete e nëntë veta, ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë. Atë e udhëzuan te një murg (prift). Shkon te murgu e i thotë se ka vrarë 99 veta, andaj a ka për të tevbe (mëshirë prej All-llahut dhe falje). Murgu i thotë se për të nuk ka tevbe. Ky e vret edhe murgun dhe me të i plotëson njëqind të vrarët. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë, e udhëzuan te një dijetar. Ky pasi e gjen i tregon se ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka për të tevbe? Dijetari i tha: "Po! E cili është ai që mund të ndërhyjë ndërmjet tij dhe tevbes së tij? -Shko në atë vend dhe në atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-llahun edhe ti adhuroje All-llahun me ta dhe mos u kthe kurrë në vendin tënd, sepse është vend i keq". Njeriu u nis për në vendin e adhurimit të All-llahut dhe kur arriti në gjysmë të rrugës i erdhi vdekja. Atëherë lindi grindja në mes engjëjve të mëshirës dhe engjëjve të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: "Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar kah All-llahu i Madhërishëm". Kurse engjëjt e dënimit thanë: "Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë". Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut e këta e morën për gjykatës që të gjykojë se cilët kanë të drejtë. Ky u thotë: "Matni në mes dy vendeve (vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve), e më afër cilit vend të jetë, atij vendi edhe i takon". Engjëjt e matën hapësirën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte, andaj e morën engjëjt e mëshirës". (Muttefekun alejhi)
Në Sahihun e Buhariut është ky transmetim: "Njeriu i penduar ishte më afër vendit të ibadetit vetëm për një pëllëmbë, andaj dhe u llogarit si banor i tij". Po ashtu, në Sahihun e Buhariut i shtohet edhe ky citat: "All-llahu i urdhëron njërit vend (të keqit) largohu kurse tjetrit vend (të mirit) afrohu, pastaj urdhëron engjëjt ta masin largësinë në mes dy vendeve, e engjëjt konstatojnë se i penduari është vetëm për një pëllëmbë më afër vendit të tevbes dhe ibadetit - andaj iu falën mëkatet". Kurse në një transmetim qëndron: "Me gjoksin e zemrën e tij ishte më afër vendit të tevbes dhe devotshmërisë".
18. Nga Ibni Abbasi dhe Enes ibni Maliku r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Sikur njeriu të kishte një luginë me arë, do të dëshironte t'i ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngopë) përveç dheut. Atyre që bëjnë tevbe All-llahu xh.sh. ua pranon tevben e tyre". (Muttefekun alejhi)
19. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu i Madhërishëm qeshet (është i kënaqur) me dy njerëz, të cilët luftojnë në mes veti, e njëri e vret tjetrin, dhe të dy hyjnë në Xhennet! Njëri prej tyre lufton në rrugë të All-llahut, vritet dhe hyn në Xhennet, kurse vrasësin e mëshiron All-llahu, e ky e pranon Islamin e pastaj edhe vet bëhet shehid (vritet në xhihad)". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhërishëm thotë:
"O besimtarë, kini durim dhe jini të qëndrueshëm..." (Ali Imran, 200)
"Ne gjithsesi do t'ju sprovojmë me diçka nga frika dhe uria, edhe me humbje të pasurisë dhe të jetës e të fryteve. Dhe ti (Muhammed) përgëzoi durimtarët". (el-Bekare, 155)
"...Vetëm ata që janë të durueshëm realizojnë shpërblim të pakufizuar". (ez-Zumer, 10)
"Por kush duron dhe falë, ajo është nga punët e mençura". (esh-Shurâ 43)
"...Kërkoni ndihmë për vete duke duruar dhe duke kryer faljen! All-llahu pa dyshim është me durimtarët". (el-Bekare, 153)
"Ne do t'ju sprovojmë derisa t'i dallojmë luftëtarët nga mesi juaj dhe durimtarët". (Muhammed, 31)
Ajetet të cilat flasin për sabrin dhe shpjegojnë rëndësinë e tij janë të shumta dhe të njohura, kurse në vazhdim ja hadithet e Alejhisselamit:
20. Nga Ebu Malik el-Harith ibn Asim el-Esh'arij r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit (besimit), el-hamdu li-l-lahi (falënderimi All-llahut) ia plotëson (besimtarit) peshojën (e veprave), subhanall-llahi velhamdu li-l-lahi (lavdia dhe falënderimi All-llahut) e mbush krejt në mes të qiejve dhe të Tokës, namazi është dritë (e zemrës), sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit), durimi (sabri) është shkëlqim, kurse Kur'ani është argument për ty ose kundër teje. Çdo njeri kur gdhin, shpirtin e vet e shet, e shpëton ose e shkatërron". (Muslimi)
21. Nga Ebu Seid Sa'd ibni Malik el-Hudrij r.a. transmetohet se ka thënë: "Një grup njerëzish prej Ensarëve kërkoi (gjësende të ndryshme) nga I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe ai u dha, ata përsëri kërkuan, e ai prap u dha çka kërkuan derisa nuk i mbeti atij asgjë, e kur harxhoi krejt çka kishte ju tha atyre: "Çdo gjë të mirë që posedoj do t'ju jap, asgjë nuk do të kursej as s'do të mbaj për vete, por kush kërkon nderë (duke mos zgjatur dorën dhe edhe pse ka shumë nevojë) All-llahu do ta nderojë, e kush kërkon të jetë i pavarur (të këtë sa mos t'ia shtrijë dorën tjetërkujt), All-llahu do ta pavarësojë, e kush bën shumë durim, All-llahu do t'i ndihmojë në durim. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e rëndësishme se sa durimi (sabri)". (Muttefekun alejhi)
22. Nga Ebu Jahja Suhejb ibn Sinan r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (All-llahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër) andaj edhe kjo i sjell dobi". (Muslimi)
23. Transmetohet nga Enesi r.a. që thotë: "Pasi që e rëndoi sëmundja Pejgamberin s.a.v.s., e kaploi mundimi i vdekjes, ndërsa Fatimeja r.anha tha: "O mundimi i babait tim!" (Ai alejhisselam) Tha: "Pas sodit, babai yt nuk do të ketë më mundime". Kurse pasi ndërroi jetë Alejhisselami, Fatimeja r.a. tha: "O babai, im iu përgjigje thirrjes së Zotit tënd, o babai im xhenneti Firdeus u bë shtrati yt, o babai im, te Xhibrili po e ndajë pikëllimin tim". Ndërkaq, kur u varros, Fatimeja r.a. tha: "A u pajtuan shpirtrat tuaj që të hedhin dhé mbi Të Dërguarin e All-llahut?" (Buhariu)
24. Transmetohet nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Hârithe - rob i liruar i Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., i dashur i tij dhe bir i të dashurit të tij r.a. se ka thënë: "Vajza e Pejgamberit s.a.v.s. më dërgoi tek Alejhisselami me porosi se djalin e ka të sëmurë për vdekje, që të vijë tek ajo. Pejgamberi e kthen me selam dhe i thotë: "Vërtet, e All-llahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar, andaj le të bëjë durim duke llogaritur shpërblim me të tek All-llahu". Vajza e Alejhisselamit e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. (Alejhisselami) U ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa'd ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel, Ubej ibn Ka'b, Zejd ibn Thabit dhe të tjerë radijall-llahu anhum. Kur erdhi Pejgamberi te vajza e tij ia dhanë fëmijën në duar, ky e mori në prehrin e vet, trupi i dridhej ndërsa lotët i shpërthyen. Sa'di i tha: "Ç'është kjo, o I Dërguari i All-llahut? (Pejgamberi) Tha: "Kjo është mëshirë të cilën All-llahu e vendos në zemrat e robërve të tij". Kurse sipas një transmetimi tjetër: "Në zemrat e robërve të tij të cilëve dëshiron, dhe njëmend, All-llahu bën mëshirë ndaj robërve të tij që janë të mëshirueshëm". (Muttefekun alejhi)
25. Transmetohet nga Enesi r.a. që thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. kaloi pranë një gruaje e cila qante mbi një varr dhe i tha: "Frikësoju All-llahut dhe bëj durim". Gruaja i tha: "Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur fatkeqësia ime!" Ajo nuk e njihte Të Dërguarin. Kur i treguan se ai ishte Pejgamberi s.a.v.s. ajo shpejtoi deri te dera e shtëpisë së Pejgamberit dhe pasi nuk gjeti roje te dera, e hapi derën dhe tha: (O I Dërguari i All-llahut) "Unë ty nuk të kam njohur". (Pejgamberi) Tha: "Durimi është në goditjen e parë (sepse atëherë është më së vështiri)". (Muttefekun alejhi)
Në Sahihun e Muslimit qëndron: "Gruaja qante për fëmijën e saj (të vogël)".
26. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu i Madhërishëm thotë: "Shpërblimi i robit tim besimtar, kur t'ia merr të dashurin e tij nga banorët e kësaj bote, e ai bën durim për të duke llogaritur shpërblim, është me Xhennet". (Buhariu)
27. Transmetohet nga Aisheja r.a. se ajo e ka pyetur Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s për murtajën (taun) dhe ai e ka lajmëruar se: "Ishte dënim (vuajtje) që All-llahu ia dërgonte kujt të dojë, kurse për besimtarët e ka bërë mëshirë (rahmet). Nuk ka asnjë rob që gjendet në vendin ku është përhapur murtaja dhe që qëndron në vendin e vet, duke duruar dhe duke llogaritur në shpërblimin e All-llahut (për durim) dhe duke ditur se asgjë nuk mund ta godasë përveç asaj që All-llahu ia ka përcaktuar - e që të mos e ketë shpërblimin e shehidit". (Buhariu)
28. Transmetohet nga Enesi r.a. që thotë se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "All-llahu xh.sh. thotë "Nëse robin tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t'ia kompensoj me Xhennet". (Buhariu)
29. Nga Ata'ibn Ebi Rebahu transmetohet se ka thënë: "Mua ibni Abbasi më ka thënë: "A do të ta tregoj një nga gratë e Xhennetit? "Gjithsesi" - i thashë, e ai më tha: "Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. e i tha: "Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë (në atë gjendje) zhvishem, andaj lute për mua All-llahun e madhërishëm". (Pejgamberi) Tha: "Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhennetin, e nëse do, po i bëj lutje All-llahut të madhërishëm që të të shërojë". Ajo tha: "Do të duroj". Pastaj ajo vazhdoi: "Unë (në atë gjendje) zhvishem, andaj lute All-llahun që mos të zhvishem". Dhe Pejgamberi i bëri lutje". (Muttefekun alejhi)
30. Transmetohet nga Ebu Abdurrahman Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. i cili ka thënë: "Sikur e shikoj Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s se si tregon për njërin nga pejgamberët e All-llahut, salavatull-llahi ve selamuhu alejhim, se si e rrahu populli i vet aq shumë sa e ka përgjakur, ndërsa ai duke e fshirë gjakun nga fytyra thoshte: "O Zoti im, fale popullin tim, se ata nuk dinë". (Muttefekun alejhi)
31. Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre r.anhuma përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Çkado që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e ferrës - me cilëndo prej këtyre, All-llahu ia shlyen mëkatet atij". (Muttefekun alejhi)
32. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kujt dëshiron All-llahu t'i japë të mira, do të sprovohet nga Ai (në trup, në pasuri, apo në të dashurit". (Buhariu)
33. Nga Enesi r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Assesi askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen e vet për shkak se e ka goditur ndonjë e keqe. E nëse është i detyruar, atëherë le të thotë: O Zoti im, më le të jetoj përderisa jeta të jetë për mua më e dobishme, kurse më vdis nëse vdekja është për mua më e dobishme". (Muttefekun alejhi)
34. Transmetohet nga Ebu Abdull-llah Habbab ibn el-Eret'ti r.a. që thotë: "Iu ankuam Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. (për persekutimet nga mushrikët) derisa ai ishte i mbështetur nën hije të Qa'besë në burdën e tij që e kishte bërë jastëk, e ne i thamë: "A nuk bënë të kërkosh ndihmë për ne, a nuk do të na bësh lutje (dua)? Ai na tha: "Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, e hapnin një gropë, e vendosnin në të, e pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e përgjysmonin, pastaj ia rrjepnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë këtë fe ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sana-së deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej All-llahut, dhe prej ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju po nguteni". (Buhariu)
Në një transmetim shtohet ky citat: "Ai e pat vendosur burdën si jastëk, kurse neve mushrikët ashpër na persekutonin".
35. Nga Enesi r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kur All-llahu i dëshiron një robi të vet diç të mirë (hajr), Ai ia shpejton dënimin në këtë botë, ndërsa kur All-llahu dëshiron që një rob të vet ta qëllojë e keqja (sherr), Ai ia lë mëkatet e pafalura në këtë botë, ashtu që të vijë me mëkate në Ditën e Gjykimit (dhe aty e gjen e keqja)". Pejgamberi s.a.v.s. po ashtu ka thënë: "Vërtet, madhësia e shpërblimit është sipas madhësisë së vështirësisë (fatkeqësisë). Vërtet, All-llahu kur e do një popull, Ai e sprovon me fatkeqësi. Kush është i kënaqur me All-llahun në fatkeqësi (bela), edhe All-llahu është i kënaqur me të, ndërsa kush hidhërohet për këtë, edhe All-llahu hidhërohet me të". (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)
36. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Nuk është trim ai që fiton në (mundje), por trim është ai që e përmban veten nga zemërimi". (Muttefekun alejhi)
37. Nga Sulejman ibn Sured r.a. përcillet se ka thënë:"Isha ulur me Pejgamberin s.a.v.s. kurse dy njerëz grindeshin ndërmjet veti. Njëri prej tyre u skuq prej zemërimit dhe iu frynë damarët e qafës. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: "Vërtet unë e di një fjalë që nëse e thotë do t'i kalojë ajo që e ka gjetur. Nëse thotë: E udhu bi-l-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim (I mbështetem All-llahut nga djalli i mallkuar), do t'i kalojë ajo që e ka kapluar". Të pranishmit i thanë: "Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë që t'i mbështetesh All-llahut nga djalli i mallkuar". (Muttefekun alejhi)
38. Nga Muadh ibn Enesi r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: " Kush e përmban zemërimin e tij atëherë kur ka mundësi t'ia kthejë (personit që e ka zemëruar), All-llahu i Madhërishëm në Ditën e Gjykimit do ta ftojë që para të gjitha krijesave ta zgjedhë cilën të dojë nga hyritë". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë se është hadith hasen)
39. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet: "Një njeri i tha Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s.: "Më porosit diçka (më përudh)". I Dërguari tha : "Mos u zemëro!" Ky e përsëriti pyetjen disaherë. I Dërguari sërish tha: "Mos u zemëro!". (Buhariu)
40. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Besimtarit dhe besimtares nuk i pushojnë së godituri fatkeqësitë në vetveten e tij, në fëmijët e tij dhe në pasurinë e tij, derisa të takohet me All-llahun e madhërishëm kur në të nuk do të mbetet asnjë mëkat". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
41. Nga Ebu Ibrahim Abdull-llah ibn Ebi Evfa r.anhuma përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. në një prej ditëve kur e pritte takimin me armikun deri në fillim të perëndimit të diellit, u ngrit dhe të pranishmëve u tha: "O njerëz, mos e dëshironi përleshjen me armikun, luteni All-llahun për shëndet, por kur të përlesheni me armikun, atëherë bëhuni të qëndrueshëm dhe dijeni se Xhenneti është nën hije të shpatave". Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. tha: "O Zoti im, që je Shpallës i Librit, Lëvizës i reve, Mundës i aleatëve, mundi ata dhe neve na ndihmo ndaj tyre!" (lutja u bë në Luftën e Hendekut). (Muttefekun alejhi)
Ndihma dhe suksesi janë nga All-llahu xh.sh..
- Besimi i fortë dhe i sinqertë
All-llahu i Madhërishëm thotë:
"O besimtarë, frikësojuni All-llahut dhe jini me ata që janë të sinqertë!" (et-Tewbe, 119)
".. Edhe të sinqertëve e të sinqertave." (el-Ahzab, 35)
".. Do të ishte më mirë për ata të jenë besnikë ndaj All-llahut". (Muhammed,21)
Kurse prej haditheve mbi këtë temë janë edhe këto:
42. Nga Ibni Mes'udi, r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Sinqeriteti (sidk) shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në Xhennet. Vërtet njeriu i cili vazhdimisht është i sinqertë (në besim dhe në të folur), tek All-llahu shkruhet besimtar i vërtetë (siddik). Gënjeshtra shpie në prishje (morale), kurse prishja shpie në Xhehennem. Njeriu që gënjen vazhdimisht, më në fund tek All-llahu shkruhet gënjeshtar". (Muttefekun alejhi)
43. Nga Ebu Muhammed el-Hasan ibn Ali ibn Ebi Talib r.a. përcillet se ka thënë: "Kam mbajtur në mend se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Largohu prej gjithçkaje që është e dyshimtë, kurse përmbaju asaj që nuk është e dyshimtë. Vërtet sinqeriteti në besim është siguri, kurse gënjeshtra është dyshim". (Tirmidhiu thotë se është hadith sahih)
44. Nga Ebu Thabiti, e është thënë nga Ebu Seidi, e është thënë edhe nga Ebu-l-Velidi, Sehl ibn Hunejfi që ishte pjesëmarrës i Luftës së Bedrit thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush dëshiron dhe kërkon sinqerisht nga All-llahu që të jetë shehid, All-llahu do t'ia japë gradën e shehidit edhe nëse vdes në shtratin e vet". (Muslimi)
All-llahu i Madhërishëm thotë:
"I cili të sheh kur ngrihesh të kryesh faljen, namazin, me të tjerët". (esh-Shuara, 2l8-2l9)
"Ai është me ju, kudo qofshi". (el-Hadid, 4)
"Për All-llahun nuk ka asgjë të fshehur,as në tokë e as në qiell". (Ali Imran, 5)
"Sepse Zoti yt është njëmend në pritë". (el-Fexhr,l4)
"Ai e di ç'fshehin sytë mashtrues dhe ç'fshehin kraharorët". (el-Mu'minu, l9)
Ajetet e Kur'anit mbi këtë temë janë të njohura dhe të shumta, kurse prej haditheve po i theksojmë disa:
45. Transmetohet nga Umer ibn Hattabi r.a. se ka thënë: "Një ditë ishim duke ndenjur tek I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohëm.U ul pranë Pejgamberit s.a.v.s. duke i mbështetur gjunjtë e vet në gjunjtë e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha: "O Muhammed, më trego ç'është Islami?" I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: "Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i All-llahut, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh Ramazanin, ta vizitosh Qa'benë, nëse ke mundësi ta bësh këtë!" Ai tha: "Të vërtetën e the". Ne u çuditëm: Po e pyet dhe po ia vërteton. Ai tha: "Më trego, ç'është imani? (Pejgamberi) Tha: "Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e fundit dhe të besosh në të caktuarit e Tij të të mirës dhe të keqes". Tha: "Të vërtetën e the". Tha: "Më trego ç'është ihsani?" (Pejgamberi) Tha: "Ta adhurosh All-llahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty". Tha: "Më trego ç'është çasti (i fundit, Dita e shkatërrimit)?" (Pejgamberi) Tha: "Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai që pyet". Tha: "Më trego mbi shenjat e tij?" (Pejgamberi) Tha: "Kur robëresha t'i lind vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë kembëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha". Pastaj shkoi, kurse unë mbeta një kohë. Pastaj (I Dërguari) tha: "O Umer, a e di kush ishte pyetësi?" Thashë: "All-llahu dhe I Dërguari i Tij më së miri e dinë". Tha: "Vërtet ishte Xhibrili, erdhi t'ua mësojë fenë tuaj". (Muslimi)
46. Nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunadeh dhe Ebu Abdurrahman Muadh ibn Xhebeli r. anhuma transmetohet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Ki ndërmend (frikësohu) All-llahun kudo që të jeshë. Të keqen përcille me të mirë, ajo do ta fshijë të keqen. Dhe me njerëzit bëhu i moralshëm-me moral dhe sjellje të mira". (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)
47. Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a. i cili ka thënë: "Isha pas Pejgamberit s.a.v.s. një ditë, kur më tha: "O vogëlush, unë po t'i mësoj disa fjalë: Ruaje All-llahun (duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalimet e Tij), dhe Ai ty do të ruajë, ruaje All-llahun dhe Ai do të jetë me ty (do të mbrojë dhe ndihmojë), nëse dikënd e lut, atëherë lute vetëm All-llahun, nëse kërkon ndihmë, atëherë kërko vetëm prej All-llahut, dije se sikur mbarë populli të mblidhet për të ndihmuar në diçka, ata nuk mund të të ndihmojnë asgjë më tepër se sa që të ka përcaktuar All-llahu. Po edhe sikur të mblidhen për të dëmtuar diçka, ata nuk do t'ia dalin të të dëmtojnë përveç asaj që All-llahu të ka përcaktuar. Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngritur, kurse ngjyra e shkrimit (të fatit) është tharë. (Don të thotë:nuk mund të shlyhet dhe të ndryshohet përcaktimi)". (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih)
Kurse në një transmetim tjetër të këtij hadithi shënohen edhe këto fjalë: "Ruaje All-llahun, do ta gjesh përpara teje, njihe All-llahun (duke e respektuar) në rehati, e Ai ty do të njohë (me ndihmën e Tij) në vështirësi, dije se ajo prej të cilës ke shpëtuar nuk ka mundur të të godasë, dhe asaj që të ka goditur nuk ke mundur t'i shpëtosh, dije se fitorja arrihet me durim, kurse suksesi me mundim dhe se pas vështirësive vjen lehtësimi."
48. Transmetohet nga Enesi r.a. se ka thënë: "Vërtet ju i bëni disa punë të cilat në sytë tuaj janë më të vogla se qimja e flokut, kurse ne në kohën e Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. i numëronim dhe konsideronim prej gabimeve (mëkateve) më të mëdha". (Buhariu)
49. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet All-llahu i Madhëruar është xheloz. Xhelozia e All-llahut vjen në shprehje kur njeriu i bën ato vepra të cilat i ka ndaluar All-llahu". (Muttefekun alejhi)
50. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Tre njerëz nga Beni Israilët, All-llahu xh.sh. dëshiroi t'i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan kurse i treti i verbër. All-llahu ua dërgoi një engjëll i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: "Ç'kishe dëshiruar më së shumti?" Tha: "Më së shumti kisha dëshiruar të kem ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit". Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj engjëlli) Tha: "Cilën pasuri më së shumti e dëshiron?" Tha: "Devetë - ose lopët" (nuk i kujtohet sakt transmetuesit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: "All-llahu të bekoftë me të!" Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: "Ç'kishe dëshiruar më së shumti?" (Qelani) Tha: "Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë." Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e i jipen flokë të bukur. (Engjëlli) Tha: "Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?" (Qelani) Tha: "Lopët". Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë: "All-llahu të bekoftë me të". Engjëlli i shkon të verbërit e i thotë: "Ç'kishe dëshiruar më së shumti?" (I verbëri) Tha:" Të ma kthejë All-llahu të pamurit, që t'i shoh njerëzit". Engjëlli e fërkon dhe All-llahu ia kthen të pamurit. (Engjëlli) Tha:" Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?" (I verbëri) Tha: "Dhentë!" Engjëlli ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit kështu që njëri (zgjebani) e bëri një luginë me deve, i dyti (qelani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) e bëri një luginë me dele. Pas kësaj engjëlli i vjen zgjebanit në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë: "Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim timin, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, e pastaj ti, andaj po të lutem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta vazhdoj rrugën". (Ish-zgjebani, tash pasanik) Tha: "Jo, unë kam shumë obligime (borxhe). (Engjëlli) I tha:"Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin All-llahu e ka pasuruar! "Tha: "Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e mëdhenj". (Engjëlli i) Tha: "Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë".
Engjëlli pastaj i shkon qelanit - por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i përgjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgjebani. (Engjëlli) Tha: "Nëse po gënjen le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!"
Pastaj engjëlli i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme dhe i thotë: "Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim timin, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të pamurit, më jep një dele, që (të ndihmohem me të e) të vazhdoj rrugën". (Ish i verbëri) Tha: "Vërtet unë kam qenë i verbër, por All-llahu ma ka kthyer të pamurit, merr vëlla çka të duash dhe lë çka të duash! Pasha All-llahun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të All-llahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. (Engjëlli) Tha: "Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. All-llahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu". (Muttefekun alejhi)
Në transmetimin e Buhariut qëndron: "Nuk të falënderoj nëse lë diçka që të nevojitet".
51. Nga Ebu Ja'la Shedad ibn Evs r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mendjemprehtë është ai që e kontrollon vetveten dhe punon për jetën pas vdekjes, kurse kokëtul është ai që ndjek dëshirat e epshit të vet dhe (pa kurrfarë merite) shpreson se All-llahu do t'ia falë". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
52. Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Nga e mira e Islamit të njeriut është lënia e asaj nga ajo që nuk i intereson". (Hadith hasen. Transmeton Tirmidhiu dhe të tjerët)
All-llahu i Madhërishëm thotë:
"O besimtarë, frikësojuni All-llahut me devotshmëri të vërtetë". (Ali Imran, l02)
"Prandaj, shprehni devotshmëri All-llahut sa të mundeni". (et-Tegabun, l6)
"O besimtarë! Frikësojuni prej All-llahut dhe flisni vetëm të vërtetën!" (el-Ahzab, 70)
Ajetet që urdhërojnë për devotshmëri janë të shumta dhe të njohura. Po ashtu All-llahu i Madhërishëm thotë:
"...Ai që i ruhet All-llahut, për atë ka rrugëdalje. Dhe do ta furnizojë prej nga nuk e kujton fare". (et-Talak 2-3)
"...Nëse i frikësoheni All-llahut Ai do t'ju bëjë të aftë ta dalloni të pavërtetën nga e vërteta dhe do t'i largojë veprat tuaja të këqija e do t'ua falë. All-llahu është bamirës i madh". (el-Enfal, 29)
Ajetet rreth kësaj temë janë të shumta dhe të njohura, kurse prej haditheve ja disa:
53. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. që thotë se e kanë pyetur Pejgamberin: "O I Dërguari i All-llahut, cili është njeriu më i ndershëm?" (Pejgamberi) Tha: "Ai që është më i devotshëm". (Të pranishmit i) Thanë: "Nuk të pyetëm për këtë". (Pejgamberi) Tha: "Jusufi është pejgamber i All-llahut, bir i pejgamberit të All-llahut, bir i pejgamberit të All-llahut, bir i dostit (halilit) të All-llahut". Thanë: "Ne as për këtë nuk të pyetëm!" (Pejgamberi) Tha: "Atëherë për të parët e arabëve po më pyetni? Më të dalluarit prej tyre në xhahilijjet do të jenë më të dalluarit në Islam nëse vetëdijësohen (e pranojnë Islamin)". (Muttefekun alejhi)
54. Nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet kjo botë (dunjaja) është e ëmbël dhe tërheqëse dhe vërtet All-llahu juve në të ju ka bërë mëkëmbës (zëvendës), Ai ju vështron si veproni, andaj ruajuni dunjasë dhe ruajuni grave, sepse vërtet intriga (fitneja) e parë e Beni Israilëve ka qenë për shkak të grave". (Muslimi)
55. Nga Ibni Mes'udi përcillet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "O Zoti im, unë të lutem Ty për udhëzim (përudhje), për devotshmëri, për ndershmëri dhe për pavarësi (nga njerëzit)". (Muslimi)
56. Nga Ebu Tarif Adij ibn Hatim et-T'aij r.a. përcillet se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Kush betohet me betim për diçka, e pastaj vëren diç më të devotshme (se ajo për të cilën është betuar), le ta marrë (apo veprojë) atë që është më e devotshme (duke e thyer-shkelur betimin!)". (Muslimi)
57. Nga Ebu Umame Suddejj ibn Axhlan el-Bahilij r.a. përcillet se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke e mbajtur hutbenë në Haxhxhin lamtumirës ku thotë: "Frikësojuni All-llahut, falni pesë kohët e namazit, agjëroni muajin e agjërimit, jepni zekatin e pasurisë suaj dhe respektoni udhëheqësit tuaj, kështu do të hyni në Xhennetin e Krijuesit tuaj". (Tirmidhiu në fund të kaptinës për namazin thotë: hadith hasen sahih)
All-llahu i Madhërishëm thotë:
"Dhe kur besimtarët i panë aleatët, thanë: Kjo është ajo që na pat premtuar All-llahu dhe Pejgamberi i Tij; All-llahu dhe I Dërguari i Tij e kanë folur të vërtetën dhe kjo atyre vetëm ua ka forcuar besimin dhe bindshmërinë". (el-Ahzab, 22):
"Ata të cilëve kur u thanë njerëzit: "Po tubohen njerëzit për shkak tuajin, kini frikën", ajo ua forcoi besimin dhe thanë: "Na mjafton All-llahu, eh sa Zot i mirë është Ai" dhe u kthyen aleatët me mirësinë e All-llahut. Nuk i qëlloi (besimtarët) kurrfarë e keqe dhe pasuan kënaqësinë e All-llahut. All-llahu është i mirë pa masë". (Ali Imran, 173-174)
"Ti kij bindje (mbështetje) në atë që është i gjallë, që nuk vdes". (el-Furkan, 58)
"...Dhe besimtarët vetëm tek All-llahu le të mbështeten!" (Ibrahim, 11)
"..E kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek All-llahu". (Ali Imran, l59)
Ajetet për urdhrin e mbështetjes (në All-llahun) janë të shumta dhe të njohura. I Lartmadhërishmi thotë:
"Kush mbështetet tek All-llahu, pa dyshim Ai i mjafton atij". (et-Talak, 3)
"Besimtarë të vërtetë janë ata, zemrat e të cilëve kur përmendet All-llahu mbushen me frikë, e kur u lexohen ajetet e Tij, ua shtojnë besimin dhe që mbështeten vetëm te Zoti i tyre". (el-Enfal, 2)
Ajetet për vlerën e tevekkulit janë të shumta dhe të njohura. Në vazhdim po i theksojmë hadithet mbi këtë temë:
58. Transmetohet nga Ibni Abbasi r. anhuma se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "O Zoti im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam besuar, në Ty jam mbështetur, te Ti jam kthyer dhe në emër Tënd hasmohem. O Zoti im, i mbështetem madhërisë Tënde, nuk ka zot tjetër përveç Teje, të më ruash nga lajthitja. Ti je i gjallë që nuk vdes, kurse xhinnët dhe njerëzit vdesin". (Muttefekun alejhi)
Ky është transmetim i Muslimit kurse Buhariu e ka shkurtuar.
59. Transmetohet po ashtu nga Ibni Abbasi r.a. se ka thënë: "Hasbunall-llahu ve ni'me-l-vekil" (Na mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës). Këtë shprehje e ka thënë Ibrahimi s.a.v.s. kur e kanë hedhur në zjarr. E ka thënë Muhammedi s.a.v.s. kur (armiqtë) i kanë thënë: "Vërtet njerëzit (armiqtë tuaj) kanë tubuar grumbull të madh kundër jush, andaj frikësohuni. Përkundrazi, kjo ua shtoi e ua forcoi besimin (besimtarëve) dhe thanë: "Hasbunall-llahu ve ni'me-l-vekil" (Na mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës)". (Buhariu)
Në një transmetim tjetër nga Ibni Abbasi r.a. thuhet: "Fjala e fundit e Ibrahimit s.a.v.s. kur e kanë hedhur në zjarr, ka qenë: "Hasbijall-llahu ve ni'me-l-vekil" (Më mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës)
60. Transmetohet nga Umeri r.a. se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Sikur ju të mbështeteshit në All-llahun me mbështetje të njëmendtë, do t'ju furnizonte siç i furnizon shpezët, gdhijnë të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
61. Transmetohet nga Ebu Umarete el-Berá ibn Azib r. anhuma se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "O filan, kur të biesh në shtratin tënd, thuaj: 'O Zoti im, shpirtin tim ta dorëzova Ty, fytyrën time e drejtova kah Ti, çështjen time ta dorëzova Ty, shpinën time e mbështeta te Ti - duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar nga Ti, nuk ka nga Ti vendstrehim as vendshpëtim përveç te Ti. Kam besuar në Librin Tënd të cilin e ke shpallur dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar'. Nëse vdesish atë natë, do të vdesish me iman, e nëse gdhihesh, atëherë (gdhihesh) i shpërblyer me mirësi". (Muttefekun alejhi)
Në një transmetim tjetër të dy sahihëve thuhet: "Më ka thënë I Dërguari i All-llahut s.a.v.s.: "Kur të nisesh për në shtrat merr abdest sikur për namaz, pastaj bjer në anën tënde të djathtë dhe thuaj atë që u cek më lartë". Pastaj tha: "Bëri këto fjalët të fundit që i thua (para gjumit)!"
62. Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Ummi Seleme, emri i së cilës ishte Hind bintu Ebi Umejje Hudhejfe el-Mahzumijje r. anha, se Pejgamberi s.a.v.s. kur dilte nga shtëpia e tij thoshte: "Në emër të All-llahut, mbështetem në All-llahun: O Zoti im, të drejtohem për mbrojtje të mos lajthitem e as të më lajthis dikush, të mos rrëshqas e as të rrëshqitem nga dikush, të mos bëj zullum e as të më bëjnë zullum, të mos injoroj kënd, e as mos të injorohem nga të tjerët". (Hadithi sahih, e transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerë me senede sahih. Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih. Ndërsa ishte në shprehje të Ebu Davudit)
63. Nga Enesi r.a. transmetohet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush thotë - kur del prej shtëpisë - Në emër të All-llahut, jam mbështetur në All-llahun dhe nuk ka kurrfarë fuqie as forcë përveç në All-llahun - i thuhet atij: "Je i udhëzuar, i mbrojtur dhe i ruajtur, dhe prej tij ik djalli". (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu etj. Tirmidhiu thotë: hadith hasen. Ebu Davudi e shton këtë fjali: "Djalli i thotë djallit tjetër: "Si ia del me njeriun i cili është i udhëzuar, i ruajtur dhe i mbrojtur?")
All-llahu
Rijadu Salihin pjesa e dytë
E Martë, 23 Shkurt 2010; 13:01
RIJADU SALIHIN - II
Nga Imam Neveviu
351. Aisheja r.a. përsëri thotë: "Kurejshitët ishin tepër të shqetësuar për shkak të rastit të gruas nga fisi El-Mahzumi, e cila kishte vjedhur, e pastaj kishin thënë: " Kush do t'i flasë për këtë Pejgamberit s.a.v.s.?" Pastaj thanë: " Kush do të ketë guxim ta bëjë këtë përveç Usame ibnu Zejdit, i cili ishte i dashuri i Pejgamberit s.a.v.s". Usame shkoi te i Dërguari i All-llahut dhe i tregoi se ka ardhur të ndërmjetësojë për rastin e asaj gruaje. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ti po ndërmjetëson që të mos zbatohet një dënim prej dënimeve të All-llahut?" Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë, ku përveç tjerash tha: "Ata të cilët ishin para jush pësuan për arsye se kur në mesin e tyre vidhte ndonjë fisnik (i pasur) e linin, nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte ndonjë i dobët (i varfër) e zbatonin mbi të dënimin! Betohem me All-llahun që sikur të vidhte Fatimeja, e bija e Muhammedit, unë sigurisht do t'ia preja dorën". (Muttefekun alejhi)
352. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka parë një pështymë (në tokë) në drejtim të Kibles dhe kjo gjë e nevrikosi aq shumë saqë kjo u vërejt në fytyrën e tij, u ngrit dhe e fshiu me dorën e vet, e pastaj tha: "Vërtet çdonjëri prej jush kur çohet për të falur namazin, atëherë është duke folur me Krijuesin e vet dhe Zoti i tij është në mes tij dhe Kibles, për atë nuk lejohet që askush prej jush të pështyjë në drejtim të Kibles, por mund të pështyjë në të majtë, apo nën këmbët e tij". Pastaj mori një skaj të mbulesës së tij dhe pështyu në të, e paloi njërën anë me tjetrën dhe tha: " Apo le të veprojë në këtë mënyrë". (Muttefekun alejhi)
Sa i përket të pështymurit në të majtë apo nën këmbë, kjo ka të bëjë vetëm jashtë xhamisë. Ndërsa kur jemi në xhami, atëherë pështymja lejohet vetëm në faculetë, apo në ndonjë leckë tjetër.
All-llahu xh.sh. në Kur'an thotë:
"Dhe bëhu më i afërt ndaj besimtarëve që të pasojnë!" (esh-Shuara:215)
All-llahu xh.sh. thotë:
"All-llahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmve dhe ndalon amoralitetin, neverinë dhe gjithçka që është krim dhe urrejtje. Ai ju këshillon të pranoni mësimin". (en-Nahl:90)
353. Ibni Umeri r.a. thotë: "Kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij. Imami (udhëheqësi - sunduesi) është bari (i popullit të vet) dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari (rojtar) i pasurisë së zotëriut të vet dhe është përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij". (Muttefekun alejhi)
354. Ebu Ja'la Ma'kil bin Jesar thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Atë rob që All-llahu e cakton për ruajtjen e një kopeje, dhe ai vdes duke tradhtuar kopenë e tij, All-llahu xh. sh. ia ndalon atij hyrjen në xhennet". (Muttefekun alejhi)
Në një rivajet: "Duke mos u kujesur për te sipas këshillave të Tij, ai nuk do ta shijojë erën e Xhennetit".
Në një rivajet të Muslimit thuhet: "Asnjë prijës, që është përgjegjës për çështjet e muslimanëve, dhe nuk mundohet për ta, dhe nuk i këshillon ata, ai nuk do të hyjë me ta në Xhennet".
355. Aisheja r.a. thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. në shtëpinë time duke thënë: "O All-llahu im, ai që udhëheq në ndonjë çështje ummetin tim dhe i mundon ata Ti mundoje atë, kurse ai që udhëheq në ndonjë çështje ummetin tim dhe sillet butë me ta Ti sillu butë me të". (Muslimi)
356. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Beni Israilët udhëhiqeshin nga pejgamberët, posa vdiste një pejgamber, menjëherë vinte në vend të tij tjetri. Pas meje nuk ka pejgamber tjetër. Por, do të ketë hulefa (pasardhës) të shumtë". Shokët i thanë: "O i Dërguar i All-llahut çka na urdhëron? Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Përmbusheni urdhrin e njërit pas tjetrit pastaj zbatoni të drejtat e tyre. Luteni All-llahun për halifen tuaj. Vërtet All-llahu do t'i pyesë për të gjitha ato gjëra për të cilat kanë qenë mbikëqyrës". (Muttefekun alejhi)
357. Nga Aidh ibni Amr tregohet se ka shkuar te Ubejdullah ibni Zijadi, dhe i ka thënë: "O biri im, unë e kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Vërtet bariu më i keq është 'hutameja' (që sillet vrazhdë e pa mëshirë me kopenë e vet), prandaj ruaju të mos bëhesh i tillë!" (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"All-llahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmve." (en-Nahl:90)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"Dhe punoni me drejtësi, All-llahu njëmend i do të drejtët". (el-Huxhurat:9)
358. Nga Abdull-llah ibni Amr ibni El-Asi r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Njerëzit e drejtë te All-llahu do të jenë në minbera prej nurit (dritës): ata që ushtronin drejtësi në pushtetin e tyre, familjet e tyre dhe në detyrën që e morën në përgjegjësi". (Muslimi)
359. Nga Avf ibni Malik r.a. thuhet: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Udhëheqësit tuaj më të mirë janë ata që ju duan dhe i doni, dhe ata për të cilët ju luteni dhe ata luten për ju. Ndërsa udhëheqësit tuaj më të këqij janë ata të cilët ju i urreni dhe ata ju urrejnë si dhe ata të cilët ju i mallkoni dhe ata ju mallkojnë!" Avfi r.a. tha: "Atëherë ne i thamë: "O Pejgamber i All-llahut, a mos t'ju kundërvihemi?" Tha: "Jo, derisa të falin së bashku me ju namazin. Jo, derisa të falin së bashku me ju namazin". (Muslimi)
360. Ijad ibni Himar r.a. thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Banorë të Xhennetit janë tre persona: udhëheqësi i drejtë që u përmbahet këshillave, njeriu i mëshirshëm zemra e të cilit është e butë për çdo të afërm dhe për çdo musliman, si dhe njeriu i pastër e i ndershëm, i cili ka shumë fëmijë". (Muslimi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"O besimtarë, përuljuni All-llahut dhe përuljuni Pejgamberit, por edhe përfaqësuesve tuaj". (en-Nisa: 59)
361. Ibnu Umeri r.anhuma thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Kush e heq dorën e vet nga dëgjueshmëria, do ta takojë All-llahun Ditën e Gjykimit, por nuk do të ketë argument mbrojtës. Kush vdes dhe në qafën e vet nuk ka besë të dhënë, vdes me vdekje xhahilijjeti". (Muslimi)
Në një rivajet tjetër të Muslimit ky hadith thuhet kështu: "Kush vdes i ndarë nga xhemati, vdes me vdekje xhahilijjeti".
362. Ibni Abbasi r.anhuma tregon se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush urren diçka nga prijësit e vet, le të durojë, sepse ai i cili largohet nga prijësi i vet vetëm për një pëllëmbë, do të vdes me vdekje xhahilijjeti". (Muttefekun alejhi)
363. Ebu Bekerete tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Kush e nënçmon sulltanin, All-llahu do ta nënçmoj atë". (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)
Rreth kësaj teme ekzistojnë shumë hadithe, të cilat janë përmendur në kaptinat tjera.
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Atë, botën tjetër, do t'ua japim atyre që nuk lakmojnë madhështinë në këtë botë, as s'duan çrregullime, se ardhmëria është e atyre që i frikësohen All-llahut". (el-Kasas: 83)
364. Nga Ebu Seid Abdurrahman bin Semura r.a. thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "O Abdurrahman, i biri i Semures mos kërko udhëheqjen (pushtetin). Nëse të jepet pa e kërkuar do të ndihmohesh në të, e nëse të jepet duke e kërkuar ngarkohesh me të (dhe vetë përgjigjesh). Nëse betohesh në diçka, por e sheh se tjetra është më e mirë se ajo për të cilën je betuar, atëherë bëre atë që është më e mirë, e për betimin tënd të dhënë më parë jep keffaret (i paraparë për betim)". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Atë ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve". (ez-Zuhruf:67)
365. Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre, r.anhuma, transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu nuk e ka dërguar asnjë pejgamber si dhe nuk e ka vendosur asnjë halife e që nuk ia ka dhënë dy shoqëri: Njëra shoqëri e udhëzon në punë të mira dhe e nxit në të mbara, ndërsa tjetra e udhëzon në punë të këqija dhe e nxit në të mbrapshta. I mbrojtur do të jetë ai që e ka mbrojturAll-llahun (duke i mbrojtur urdhërat e Tij)". (Buhariu)
366. Nga Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. thuhet: "Hyra te Pejgamberi s.a.v.s. unë dhe dy kushërinjtë e mi, njëri prej tyre i tha: "O i Dërguari i All-llahut, më emëro udhëheqës në diç që të ka dhënë pushtet All-llahu në të". Tjetri tha të njëjtën gjë si i pari. Pejgamberi s.a.v.s. pastaj u tha: "Betohem në All-llahun se ne nuk vendosim në pozitat udhëheqëse (vali) asnjë person që e kërkon atë, ose atë që e lakmon pozitën". (Muttefekun alejhi)
367. Nga Imran bin Husejn r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Turpi sjell vetëm mirësi". (Muttefekun alejhi)
Dhe në një rivajet tjetër të Muslimit thuhet: "Turpi në tërësi është mirësi (hajr)", ose ka thënë: "Turpi është krejt mirësi (hajr)".
368. Nga Ebu Hurejre r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Besimi (imani) është shtatëdhjetë e ca ose gjashtëdhjetë e ca degë. Më e larta është fjala "La ilahe il-lall-llah" (nuk ka zot tjetër përveç All-llahut), ndërsa më e ulta është mënjanimi i ndonjë sendi nga rruga, që i pengon kalimtarët. Edhe turpi është degë e imanit". (Muttefekun alejhi)
369. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. ishte edhe më i turpërueshëm se sa virgjëresha në gjerdekun e saj (dhomën e nusërisë). Kur shihte diçka që nuk i pëlqente, ne e hetonim këtë në fytyrën e tij". (Muttefekun alejhi)
Thelbi i turpit, sipas mendimit të dijetarëve eminentë, është karakteri që e nxit njeriun që t'i braktisë të këqijat dhe që e shtyen t'ia japë të drejtën që i takon secilit person. Ndërsa Ebul Kasim El-Xhunejdi r.a. duke e përshkruar turpin thotë: "Turpi është të pamurit e shenjave të All-llahut dmth. shenjat e begative të Tij dhe të pamurit e mungesave të veta. Produkt i këtyre të dyjave është turpi".
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe përmbushni obligimet, sepse obligimet me siguri kanë përgjegjësi". (el-Isra:34)
370. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet njeriu më i keq te All-llahu në Ditën e Gjykimit është ai që i zbulon fshehtësitë e gruas së vet, e edhe ajo të tijat, dhe pastaj përhapen fshehtësitë". (Muslimi)
371. Nga Aisheja r.a. thuhet: "Një ditë ishim ne, gratë e Pejgamberit s.a.v.s. te ai, kur u duk Fatimeja r.a., që ecte plotësisht ashtu si ecte Pejgamberi s.a.v.s. Kur e pa Pejgamberi s.a.v.s. i dëshiroi mirëseardhje dhe tha: "Mirë se erdhe bija ime!" e pastaj ia bëri një vend dhe e uli pranë vetes në anën e djathtë apo të majtë, e pastaj i tregoi diçka fshehtas dhe ajo qau shumë. Kur Muhammedi s.a.v.s. e pa dëshpërimin e saj të madh, për të dytën herë përsëri fshehtas i tha diçka e pastaj ajo u gëzua dhe qeshi. Unë pastaj i thashë: "Ty të zgjodhi Pejgamberi s.a.v.s. në mesin tonë dhe të tregoi ndonjë fshehtësi!", dhe e pyeta: "Ç'të tha Pejgamberi s.a.v.s.?" Ajo m'u përgjigj: "Nuk mund t'i zbuloj fshehtësitë e të Dërguarit të All-llahut". Dhe pasi që Pejgamberi s.a.v.s. kishte ndërruar jetë, i thashë Fatimesë: "Të betohem në hakun tim te ti, që të më thuash tash se ç'të ka thënë i Dërguari i All-llahut, atëherë kur nuk dëshirove të më tregosh, pra më thuaj tash". H. Fatimeja më tha: "Po. Tash mund të të tregoj. Sa i përket herës së parë, kur më tregoi fshehtazi, më tha: "Për çdo vit Xhibrili një herë ose dy herë së bashku me të e lexon Kur'anin dhe në këtë moment dy herë më ka propozuar, unë mendoj se vdekja ime më është afruar, por ti kij frikë All-llahun dhe kij durim. Vërtet unë për ty jam paraardhës i mrekullueshëm". Për këtë unë kam qarë, ashtu si më ke vërejtur. Por, kur Pejgamberi s.a.v.s. e pa dëshpërimin tim të madh, atëherë për të dytën herë më pëshpëriti (më foli në vesh) dhe më tha: "O Fatime, a nuk je e kënaqur të jeshë prijëse (zonjë) e të gjitha grave besimtare, apo prijëse e grave të këtij ummeti?" Atëherë kam qeshur dhe jam gëzuar ashtu si më ke vërejtur vetë". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe realizoni obligimet, sepse obligimet kanë me siguri përgjegjësi". (el-Isra:34)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe zbatoni obligimet e All-llahut për të cilat jeni ngarkuar". (en-Nahl:91)
All-llahu xh.sh. thotë:
"O besimtarë, zbatoni marrëveshjet!" (el-Maide:1)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"O besimtarë, përse flisni atë që nuk e bëni. Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni". (es-Saff:2-3)
372. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton ndryshon dhe kur i besohet diçka tradhton". (Muttefekun alejhi)
Në rivajetet e Muslimit shtohet: "Edhe nëse agjëron, falet dhe mendon se është musliman".
373. Nga Abdull-llah bin Amr ibn El-Asi r.anhuma transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Personi tek i cili gjenden këto katër (cilësi) është hipokrit i vërtetë, kurse ai, tek i cili gjendet një prej tyre, ai posedon cilësi të hipokrizisë, derisa nuk e flak atë:
-kur i besohet diçka, tradhton;
-kur flet, gënjen;
-kur zotohet, mashtron
-kur grindet, tërbohet".
(Muttefekun alejhi)
374. Nga Xhabiri r.a.: "Pejgamberi s.a.v.s. më ka thënë: "Sikur të kishte ardhur pasuria e Bahrejnit, unë do ta kisha dhënë këtë, këtë dhe këtë". Mirëpo pasuria nga Bahrejni nuk erdhi, derisa Pejgamberi s.a.v.s. ndërroi jetë. Kur erdhi pasuria e Bahrejnit, Ebu Bekri urdhëroi që të kumtohet lajmi: "Kujt i ka premtuar Pejgamberi s.a.v.s. diçka, ose kujt i ka mbetur borxh, le të vijë te ne". Unë shkova te Ebu Bekri dhe i thashë: "Mua ma ka thënë i Dërguari i All-llahut këtë dhe këtë". Ebu Bekri i mori dy grushta plot nga ai thesar (pasuri), kur i numërova, ato ishin pesëqind. Ai më tha: "Merr dy herë aq!" (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Vërtet All-llahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli, derisa ai të mos e ndryshojë vetveten". (er-Ra'd:11)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe mos u bëni si ajo, e cila e prishi tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort". (en-Nahl:92)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Dhe të mos jeni sikur ata të cilëve qysh më herët u është dhënë Libri. Atyre u është zgjatur koha, andaj zemrat e tyre janë bërë të ashpra". (el-Hadid:16)
All-llahu xh.sh. po ashtu thotë:
"Mirëpo, ata nuk kujdesen për këtë si duhet". (el-Hadid:27)
375. Abdull-llah ibn Amr ibn As r.anhuma thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. më ka thënë: "O Abdull-llah, mos u bëj si filani, i cili natën e shndërroi në namaz e pastaj e la edhe namazin e natës". (Muttefekun alejhi)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Bëhu i butë ndaj besimtarëve". (el-Hixhr:88)
All-llahu i Madhëruar gjithashtu thotë:
"Por, sikur të jeshë i ashpër dhe hijerëndë do të iknin prej rrethit tënd". (Ali Imran:159)
376. Ebu Dherri r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Asnjë punë të mirë mos e nënçmo, pra edhe atë që ta takosh mikun tënd me fytyrë të qeshur". (Muslimi)
377. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. kur e thoshte një fjali, ai e përsëriste nga tri herë derisa të kuptohej prej tij. Ndërsa kur vinte në mesin e njerëzve, përshëndette me selam deri në tri herë. (Buhariu)
378. Aisheja r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. në fjalimin e vet ishte i qartë dhe çdokush që e dëgjonte e kuptonte". (Ebu Davudi)
379. Xherir ibni Abdil-lahi r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. në haxh-xhetul veda më ka thënë: "Kërko prej njerëzve që të të dëgjojnë". Pastaj tha: "Mos u ktheni pas meje në pabesimtarë (kuffarë), që njëri-tjetrit t'i mëshoni në qafë". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillime të mira". (en-Nahl:125)
380. Muavije ibn El-Hakem Es-Sulemi r.a. thotë: "Derisa unë isha duke u falur me Pejgamberin s.a.v.s. një njeri prej të pranishmëve teshëtiu dhe unë thashë: "Jerhamukell-llah" (All-llahu të mëshiroftë)! Njerëzit e pranishëm më shpuan me shikimet e tyre! Unë thashë me vete: "Medet për mua, nëna ime! Ç'keni, pse më shikoni?" Ata filluan t'i rrahin gjunjtë. Pasi i pashë se heshtën, unë më nuk bëra zë. Pasi që Pejgamberi s.a.v.s. u fal, - Betohem në prindët e mi se nuk kam parë këshillues më të mirë para dhe pas tij. Betohem në All-llahun se ai nuk më ka përqeshur, nuk më ka fyer e as nuk më ka qortuar - ai tha: "Në këtë lutje (namazi), nuk lejohet kurrfarë të folurit prej fjalëve të njerëzve. Në këtë lutje ushtrohet vetëm tesbihu, tekbiri si dhe leximi i Kur'anit, apo ashtu si ka thënë Pejgamberi" Unë pastaj thashë: "O i Dërguari i All-llahut, unë frik jam (ndarë) me xhahilijjetin, e All-llahu na e solli Islamin. Te ne ka njerëz të cilët shkojnë te fallxhorët!" Pejgamberi tha: "Po ti mos shko!" Unë pastaj i thashë: "Te ne ka njerëz të cilët qesin fall me shpezë!" Ai më tha: "Kjo është diç që ata e besojnë por ajo nuk do t'ua pret (të këqijat)". (Muslimi)
381. Irbad ibni Sarije r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. na mbajti një këshillë prej së cilës u dridhën zemrat dhe lotuan sytë".
Ky hadith në tërësi është përmendur në kaptinën për ruajtjen e sunnetit (me numër rendor 161). (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih)
Vërejtje e krahasuesit: Hadithi 161 i cekur më sipër është sipas radhitjes së origjinalit, përndryshe këtu do të duhej të ishte midis hadithit 112 dhe 113. Meqenëse teksti i hadithit mungon ne po e sjellim me sa vijon:
Nga Ebu Nexhih, Irbad ibni Sarije r.a. i cili thotë: I Dërguari i All-llahut na e mbajti një këshillë të prekshme prej së cilës u dridhën zemrat dhe lotuan sytë. Thamë: O i Dërguar i All-llahut sikur të ishte kjo këshillë lamtumirëse, andaj na lë porosi? -Tha: "Ju porosis t'i druani All-llahut, ta dëgjoni dhe t'i nënshroheni edhe nëse përpiqet t'u mashtrojë njeri. Ai që prej jush do të jetojë (më gjatë) do të shohë kundërshtime të shumta. Andaj ju përmbajuni sunnetit tim dhe sunnetit të hulefai rashidinëve të cilët u udhëzojnë ngase janë të udhëzuar. Shtrëngone atë (sunnetin) me dhëmballat tuaja e (mos e lëshoni). Ruanu nga shpikja e gjërave (në fe) ngase çdo shpikje është lajthim." (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe ky i fundit tha: Hadithi është hasen sahih)
Fjala në hadith me dhëmballat tuaja është shprehje artistike-simbolike e Pejgamberit alejhisselam e cila aspiron në fuqinë të cilën duhet përdorur për ta ruajtur sunnetin dhe në kujdesin që duhet patur ndaj tij. (Shënim i krahasuesit)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Kurse robtë e të Mëshirshmit janë ata, të cilët nëpër tokë ecin qetë, ndërsa kur u drejtohen injorantët, thonë: Paqe e qetësi!" (el-Furkan:63)
382. Aisheja r.a. thotë: "Unë asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin e All-llahut të kapluar në të qeshur që t'i duket nofulla. Ai vetëm ka buzëqeshur". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe kush madhëron traditat e All-llahut, ajo është shenjë e zemrës fisnike". (el-Haxhxh:32)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"A të ka arritur rrëfimi për musafirët e nderuar të Ibrahimit. Kur hynë dhe thanë: 'Paqe!' Dhe ai tha: 'Paqe, o njerëz të panjohur!' Dhe ai shkoi pa u hetuar, ke familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. Ua ofroi dhe u tha: 'A nuk e hani?'" (edh-Dharrijat:24-27)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe populli i tij u vërsul tek ai - të cilët edhe më parë bënin vepra të turpshme. O populli im, tha ai, ja vajzat e mia, këto janë më të pastra për ju! Frikësojuni All-llahut dhe mos më turpëroni me musafirët e mi! Vallë a nuk paska prej jush asnjë njeri i mençur?" (Hud:78)
383. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le ta nderojë musafirin, dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le t'i vizitojë të afërmit, dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le të flasë mirë ose le të hesht". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Përgëzoi robërit e Mi, që dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të bukurën prej tyre". (ez-Zumer:17-18)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Zoti i tyre i përgëzon se do të jetë i mëshirshëm dhe mirëbërës dhe se do t'i dërgojë në Xhennet ku do të kenë kënaqësi të vazhdueshme". (et-Tewbe: 21)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe ne e gëzuam me një djalosh të mirë". (es-Saffat:101)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Edhe Ibrahimit i patën ardhur të deleguarit tanë me lajme të mira". (Hud:69)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"Kurse gruaja e tij rrinte në këmbë dhe ne e përgëzuam me Is-hakun e pas Is-hakut dhe Jakupin". (Hud:71)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Dhe derisa ai lutej në tempull, në këmbë, engjëjt e thirrën: All-llahu ty të përgëzoi me Jahjaun". (Ali Imran: 39)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe kur engjëjt i thanë: Oj Merjeme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet se emrin do ta ketë Mesih". (Ali Imran:45)
Ka edhe shumë ajete të tjera të njohura në këtë temë, ndërsa sa u përket haditheve:
384. Ebu Ibrahimi, i cili quhet edhe Ebu Muhammed dhe Ebu Muavije Abdull-llah ibni Ebi Evfa r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. e ka përgëzuar Hatixhen r.anha me një shtëpi në Xhennet prej margaritarëve, në të cilën nuk ka zhurmë, as monotoni e as lodhje. (Muttefekun alejhi)
385. Nga Ebu Musa El-Eshariu r.a., i cili mori abdest në shtëpinë e vet, pastaj doli nga shtëpia dhe tha: "Gjithsesi do ta shoqëroj Pejgamberin s.a.v.s. dhe do ta kaloj me të këtë ditë". Shkoi në xhami dhe pyeti për Pejgamberin s.a.v.s. Të pranishmit i thanë: "Shkoi atje!" Esh'ariu tha: "Unë dola prej xhamisë dhe shkova pas tij, duke pyetur për të, derisa arrita te pusi i Erisit. Aty qëndrova te dera, derisa Pejgamberi s.a.v.s. kreu nevojën dhe mori abdest. Pastaj u ngrita afër tij, ndërsa ai ishte ulur te pusi i Erisit, qëndronte në mesin e lartësisë së pusit, i kishte përvjelur këmbët dhe i kishte lëshuar në pus. Unë e përshëndeta me selam, pastaj u ktheva dhe u ula te dera dhe thashë: "Vërtet sot do të jem portieri i Pejgamberit s.a.v.s". Pastaj arriti Ebu Bekri r.a. e shtyu derën dhe unë i thashë: "Kush është?" Tha: "Unë jam Ebu Bekri". Unë pastaj ia ktheva: "Prit pak!" Pastaj shkova te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i thashë: "Ebu Bekri kërkon leje të hyjë!" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Lëre të hyjë dhe përgëzoje se do të shkojë në Xhennet!" Unë pastaj u ktheva te Ebu Bekri dhe i thashë: "Urdhëro, hyr! Pejgamberi s.a.v.s. të përgëzon me Xhennet. Ebu Bekri hyri dhe u ul në anën e djathtë të Pejgamberit s.a.v.s. në pjesën e sipërme të arkës së pusit dhe të dy këmbët i shtiu në pus, ashtu siç kishte vepruar i Dërguari i All-llahut, dhe i përvoli teshat. Unë prapë u ktheva dhe u ula, dhe e lashë në shtëpi vëllain tim të marrë abdest dhe të vijë pas meje.
Atëherë kam thënë: "Nëse All-llahu xh.sh. i jep ndonjë të mirë (duke menduar në vëllain tim, i cili kishte mbetur në shtëpi duke marrë abdest), do t'i vijë".
Kur, dikush trokiti në derë, dhe unë pyeta: "Kush është?" Ai u përgjigj: "Umeri, i biri i Hattabit!" Unë i thashë: "Prit pak!" Pastaj shkova te Pejgamberi s.a.v.s., e përshëndeta me selam, pastaj i thashë: "Umeri kërkon të hyjë!" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Lëre dhe përgëzoje me Xhennet". Unë u ktheva te Umeri r.a. dhe i thashë: "Urdhëro, hyr! Pejgamberi s.a.v.s. të përgëzon me Xhennet". Ai hyri dhe u ul në anën e majtë të Pejgamberit s.a.v.s. në pjesën e epërme të pusit dhe i shtiu këmbët në të.
Pastaj unë u ktheva, u ula dhe thashë: "Nëse All-llahu ia dëshiron të mirën (mendon në vëllain e vet), do t'i vijë".
Atëherë dikush trokiti në derë. Unë prapë pyeta: "Kush është?" Ai u përgjigj: "Uthmani, i biri i Affanit". Unë iu përgjigja: "Prit pak!" Pastaj shkova te Pejgamberi s.a.v.s. dhe e lajmërova për ardhjen e Uthmanit. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Lejo të hyjë dhe përgëzoje me Xhennet si dhe belanë e cila do t'i ndodhë". Unë u ktheva te Uthmani dhe i thashë: "Urdhëro, Pejgamberi s.a.v.s. të përgëzon me Xhennet dhe belanë e cila do të ndodhë". Uthmani r.a. e gjeti pjesën e epërme të pusit të mbuluar dhe u ul në anën tjetër të pusit".
Seid ibnu Musej-jeb thotë: "Uljen e këtyre e kam shpjeguar me varrezat e tyre". (Muttefekun alejhi)
Ebu Musa El-Esh'ariu në një rivajet shton: "Kur Uthmani mori vesh për lajmin e gëzuar për Xhennet, e falënderoi All-llahun xh.sh. e pastaj tha: "All-llahul Musteanu (All-llahu është Ai prej të cilit kërkoj ndihmë)".
386. Ibnu Shumaseta thotë: "Shkuam ta vizitojmë Amr ibnul Asin r.a. të shtrirë në shtratin e vdekjes, i cili qau shumë. Pastaj e ktheu fytyrën kah muri. I biri i tij filloi t'i flasë: "O babai im! A nuk të ka përgëzuar Pejgamberi s.a.v.s. me këtë dhe këtë?" Ai u kthye me fytyrë kah ne dhe tha: "Më e vlefshmja dhe ajo në të cilën llogarisim më së shumti është fjala e dëshmisë (shehadeti) se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi s.a.v.s. është i Dërguari i Tij. Unë vërtet kalova nëpër tri periudha: E konsideroja veten se isha armiku më i madh i Pejgamberit s.a.v.s., më dukej se askush nuk e urrente më shumë se unë, dhe në atë kohë nuk do të kishte për mua kënaqësi më të madhe veç ta mbytja Pejgamberin. Sikur të vdisja në atë gjendje, do të isha me siguri gjithmonë në Xhehennem. Mirëpo, kur All-llahu e vendosi Islamin në zemrën time, shkova te Pejgamberi dhe i thashë: "Shtrije dorën e djathtë që të betohem (zotohem)". Ai e shtriu dorën e tij të djathtë, ndërsa unë e tërhoqa dorën time. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ç'ke o Amr?" Unë pastaj i thashë: "Dua të të kushtëzoj!" Pejgamberi u përgjigj: "Kushtëzo ç'të duash!" Unë pastaj i thashë: "Dua që të më falen gabimet!" Pejgamberi tha: "A nuk e di se Islami rrënon (shlyen) çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di ti se hixhreti rrënon çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di se haxhxhi rrënon çdo gjë që ka qenë më parë?" Për mua atëherë nuk kishte njeri më të dashur se Pejgamberi s.a.v.s. si dhe më të madh se ai në sytë e mi. Unë nuk mundesha t'i ngop sytë me të për shkak të respektit që kisha ndaj tij. Sikur të më pyet sot dikush që ta përshkruaj, nuk do të mundesha ta bëj, për arsye se unë nuk i kam ngopur sytë e mi me të. Sikur të kisha vdekur në atë gjendje me siguri do të shpresoja që të jem prej xhennetlinjve.
Pastaj ishte periudha (e tretë), isha i ngarkuar në vende udhëheqëse me përgjegjësi (veli) dhe nuk e di gjendjen time si jam gjendur gjatë kësaj kohe. Për këtë kur të vdes, të mos më përcjell mua vajtimi e as zjarri, ndërsa kur të më varrosni, hidheni mbi mua dheun nga pak, pastaj qëndroni rreth varrit tim aq sa të mund të prehet kurbani dhe të copëtohet mishi i tij, që të heq mërzinë me ju derisa të shoh se me çka t'ju drejtohem të dërguarve të Krijuesit tim". (Muslimi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe Ibrahimi ua porositi këtë bijve të vet, si edhe Jakubi: 'O bijtë e mi, All-llahu ua ka zgjedhur fenë, assesi mos vdisni ndryshe, vetëm si muslimanë!' A ishit ju dëshmitarë (të pranishëm) kur i erdhi Jakubit momenti i vdekjes dhe u tha djemve të vet: 'Çka do të adhuroni pas meje?' Do të adhurojmë, i thanë ata, Zotin tënd dhe Zotin e të parëve të tu, Ibrahimit dhe Ismailit e Is-hakut, vetëm një Zot, dhe ne atij i jemi dorëzuar". (el-Bekare:132-133)
387. Ebu Sulejman Malik ibni El-Huvejrith r.a. thotë: "Shkuam te i Dërguari i All-llahut dhe të gjithë ne ishim të ri dhe të një mosheje. Te ai qëndruam njëzet net, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. ishte i mëshirshëm dhe i dashur. Ai mendoi se na ka marrë malli për familjet tona, andaj na pyeti kë kemi prej familjes e ne i treguam, pastaj ai tha: "Kthehuni te familjet tuaja dhe rrini me ta, mësoni dhe urdhëroni ata (në të mira) dhe faleni këtë namaz në këtë kohë dhe namazin tjetër në kohën tjetër. E kur të vijë koha e namazit, njëri prej jush le ta thërrasë ezanin e më i moshuari nga ju le të dalë imam". (Muttefekun alejhi)
Buhariu shton në një rivajet: "Faluni ashtu sikurse më keni parë duke u falur!"
388. Umer ibnu Hattabi r.a. thotë: "Kërkova leje prej Pejgamberit s.a.v.s. për kryerjen e Umres (vizita e Qabes jashtë kohës së haxhxhit), më lejoi dhe më tha: "Mos na harro o vëlla, nga lutjet e tua!" Ai e tha një fjalë e cila më gëzoi më tepër se sa të bëhej e tërë bota imja".
Në një rivajet tjetër Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shoqërona neve, vëlla në lutjet tua!" (Këtë hadith e transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih)
389. Enesi r.a. thotë: "Erdhi një njeri te Pejgamberi s.a.v.s. dhe tha: "Unë kam vendosur të udhëtoj, më përgatit me diçka". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "All-llahu të përgatittë me devotshmëri (takvalluk)!" Njeriu prapë tha: "Shto diçka tjetër!". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Dhe t'i faltë mëkatet!". "Shto prapë!". I Dërguari i All-llahut tha: "Dhe ta lehtësoftë ty të mirën (hajrin), kudo që të jesh!" (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe konsultohu me ta në punë!" (Ali Imran:159)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe ata konsultohen mes veti për punët e veta". (esh-Shurâ:35)
390. Xhabiri r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. na mësonte istiharen (të kërkuarit e asaj që është më e mirë) në të gjitha gjërat, ashtu sikurse na i mësonte suret e Kur'anit. Ai thotë: "Kur dikush prej jush dëshiron të bëjë diçka, le të falë dy rekate jashta farzit, pastaj le të thotë: "O Zoti im, Ty të drejtohem që të më orientosh me dijen Tënde për atë që është më mirë për mua. Ty të drejtohem që të më japish fuqi për kryerjen e punëve të mira, me fuqinë Tënde, kërkoj dhuntinë Tënde të pakufishme, Ti je i Gjithëfuqishëm, ndërsa unë nuk kam fuqi, Ti je Ai që posedon dituri, ndërsa unë nuk di dhe Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zoti im, nëse sipas dijenisë Tënde, kjo punë është e mirë (hajr) për mua, për fenë time, jetën time si dhe për përfundimin tim - ose të thotë: Për këtë jetën time kalimtare dhe për jetën e ardhshme të amshueshme - atëherë Ti më ndihmo në këtë punën time, lehtësoma mua dhe bëre atë të begatshme. Po, nëse në dijeninë Tënde e di se kjo punë për mua është e dëmshme (sherr), në fenë time, në jetën time dhe në përfundimin tim - ose të thotë: Në këtë jetë timen si dhe jetën e ardhshme të përhershme - atëherë largoje atë prej meje dhe më largo mua nga ajo. Më cakto mua të mirën (hajrin) kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të".
Transmetuesi thotë se lutësi pastaj e emiton dëshirën e vet. (Buhariu)
391. Xhabiri r.a. thotë: "Në ditën e Bajramit, Pejgamberi s.a.v.s. e ndërronte drejtimin e kthimit të vet". (Buhariu)
Ky hadith do të thotë se i Dërguari i All-llahut shkonte në një rrugë, ndërsa kthehej në shtëpi nga një rrugë tjetër.
392. Nga Ibnu Umeri r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. (në Medine) shkonte rrugës "Tarikush-shexhere", ndërsa kthehej rrugës Muarrese "Tarikul-muarres". Kur hynte në Mekke, hynte grykës së sipërme, ndërsa dilte grykës së poshtme. (Muttefekun alejhi)
Është e njohur se është mustehab t'u jepet përparësi organeve të djathta në të gjitha punët e ndershme si: abdesti, gusli, tejemmumi, veshja e rrobave, mbathja e këpucëve, teshave të brendshme, hyrja në xhami, përdorimi i misvakut (brushës së dhëmbëve), prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve, mënjanimi i qimeve nga vendet e mbuluara të trupit, qethja e flokëve, dhënia e selamit në namaz, në ushqim e pije, përshëndetje, kapjen e Haxheri Esvedit, daljen nga nevojtorja, për çdo marrje dhe dhënie etj.
Është mustehab t'u jepet përparësi organeve të majta në punët e kundërta me ato që i përmendëm si: pështyerja në të majtë, hyrja në nevojtore, dalja nga xhamia, zbathja e këpucëve, teshave të brendshme, rrobave, gjatë istinxhait (pastrimit të organeve të nevojës së madhe dhe të vogël), si dhe të gjitha punëve të papastra.
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Ai të cilit do t'i jepet libri në dorën e djathtë të tij, do të thotë: 'Ja, lexomani librin tim!'" (el-Hâkka:19)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Dhe ata të djathtët, e çka di ti se kush janë të djathtët? Po të majtët, kush janë të majtët" (el-Vakia:8-9)
393. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberit s.a.v.s. i pëlqente përdorimi i pjesëve të djathta të trupit në të gjitha çështjet e tij: në gjërat e pastra, ecje si dhe në mbathje". (Muttefekun alejhi)
394. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. e përdorte dorën e djathtë për gjërat e pastra dhe ushqim, ndërsa dorën e majtë e përdorte për nevojën e tij dhe për gjërat që ishin të papastra". (Muttefekun alejhi)
395. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të mbatheni, filloni me të djathtën tuaj, ndërsa kur të zbatheni, filloni me të majtën, le të jetë e djathta e para që mbathet dhe e mbrama që zbathet". (Muttefekun alejhi)
396. Nga Hafseja r.anha tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. përdorte dorën e djathtë për ushqim, pije dhe veshje, ndërsa dorën e majtë për gjërat e tjera. (Ebu Davudi dhe të tjerët)
397. Nga Ebu Hurejre r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të visheni dhe kur të merrni abdest, filloni me të djathtat tuaja". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, hadith sahih)
398. Nga Aisheja r.anha tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur dikush prej jush fillon të hajë, le ta përmendë emrin e All-llahut të Madhëruar, por nëse harron ta përmend në fillim të ngrënies, atëherë le të thotë: "Me emër të All-llahut në fillim dhe në mbarim të ushqimit (Bismil-lahi evvelehu ve ahirehu)". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen)
399. Xhabiri r.a. thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Kur një njeri hyn në shtëpinë e vet dhe e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hyjë, si dhe para se të hajë, atëherë shejtani do t'u thotë shokëve të vet: "Këtu nuk keni as të ndenjur e as ushqim". Ndërsa kur një njeri hyn në shtëpinë e vet, por nuk e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hyjë, atëherë shejtani thotë: "Keni gjetur vend për të ndenjur dhe ushqim". Ndërsa kur njeriu nuk e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hajë, atëherë shejtani u thotë shokëve të vet: "Keni gjetur të ndenjur dhe ushqim". (Muslimi)
400. Hudhejfeja r.a. thotë: "Ne, kur prezentonim në ushqim së bashku me të Dërguarin e All-llahut, nuk e zgjatnim dorën në ushqim para se t'ia fillonte Pejgamberi s.a.v.s. Njëherë ishim duke ngrënë së bashku me Pejgamberin s.a.v.s. dhe erdhi një shërbëtore (xharije), sikur e shtyrë nga dikush, erdhi dhe deshi ta vërë dorën e saj në ushqim, por Pejgamberi s.a.v.s. e kapi për dore. Pastaj erdhi një beduin (malësor), sikur i shtyrë nga dikush, edhe këtë Pejgamberi s.a.v.s. e kapi për dore e pastaj tha: "Vërtet, shejtanit i lejohet të hajë në ushqim nëse në të nuk është përmendur emri i All-llahut. Shejtani ka ardhur me këtë shërbëtore që t'i lejohet të hajë përmes saj, andaj e kapa për dore (e pengova), pastaj shejtani erdhi me këtë beduin, që t'i lejohet të hajë përmes tij andaj edhe këtë e kapa për dore. Pasha Atë, në dorën e të cilit është shpirti im, dora e tij (shejtanit) ishte në dorën time nëpërmjet duarve të tyre (shërbëtores dhe beduinit)". Pastaj i Dërguari i All-llahut e përmendi emrin e All-llahut të Madhëruar". (Muslimi)
401. Umejje bin Mahshia Es-Sahabiu r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. ishte ulur dhe një njeri pranë tij hante e i cili nuk e kishte përmendur emrin e All-llahut saqë nga ushqimi i tij kishte mbetur vetëm një kafshatë. Kur e afroi te goja tha: "Bismil-lahi evvelehu ve ahirehu". (Me emër të All-llahut në fillim dhe në përfundim të ushqimit). Pejgamberi s.a.v.s. qeshi, pastaj tha: "Shejtani hante vazhdimisht me të, por kur e përmendi emrin e All-llahut, e volli gjithë atë që e kishte në barkun e vet". (Ebu Davudi dhe Nesaiu)
402. Nga Aisheja r.anha thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. ishte duke ngrënë ushqim me gjashtë shokët e vet. Erdhi një beduin dhe e hëngri ushqimin me dy kafshata. Pejgamberi s.a.v.s. u tha shokëve të vet: "Ja pra ky sikur ta kishte emërtuar (me bismil-lah) do t'u kishte mjaftuar edhe juve (ushqimi i tij)". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
403. Nga Ebu Umame r.a. bëhet e ditur se Pejgamberi s.a.v.s. kur e çonte sofrën e vet, thoshte: "Falënderimi i qoftë All-llahut, falënderim i plotë i mirë dhe i bekuar në të (ushqim), i cili nuk na ka bërë të panevojshëm, të braktisur e të pavarur nga Ai. Ai është Zoti ynë!" (Buhariu)
404. Nga Ebu Hurejre r.a. thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. asnjëherë nuk ka përmendur të meta në asnjë ushqim, nëse i ka ardhur i shijshëm e ka ngrënë, e nëse nuk e ka pëlqyer e ka lënë". (Muttefekun alejhi)
405. Nga Xhabiri r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. kërkoi nga familja e vet t'i sjellin për ushqim erëza, por ata i thanë: "Nuk kemi asgjë tjetër përveç uthullës". Pejgamberi s.a.v.s. atëherë kërkoi uthull, pastaj filloi të hajë duke thënë: "Sa erëz e mirë është uthulla, sa erëz e mirë është uthulla!" (Muslimi)
406. Ebu Mes'ud El-Bedriu r.a. thotë: "Një njeri e ftoi Pejgamberin s.a.v.s. në një ziafet, të cilin e kishte përgatitur për të dhe për katër të tjerë, kështu që Pejgamberi s.a.v.s. ishte prej atyre të pestëve i pesti, por i ishte bashkangjitur edhe një njeri gjatë rrugës për në ziafet. Kur arritëm te dera e të zotit të ziafetit, Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Ky na është bashkangjitur gjatë rrugës, pra nëse e lejon edhe këtë lejoje, e nëse jo, atëherë ky le të kthehet!" Atëherë i zoti i shtëpisë tha: "Gjithsesi unë e lejoj, o i Dërguari i All-llahut (që të jetë së bashku me ne në ziafet)". (Muttefekun alejhi)
407. Umer ibnu Ebi Selem r.anhuma thotë: "Isha fëmijë dhe nën mbikëqyrjen e Pejgamberit s.a.v.s. në shtëpinë e tij. Njëherë, para se t'ia fillojmë ushqimit, zgjata dorën në një enë të ushqimit, por Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "Djalosh, thuaj 'Bismil-lah', përmende emrin e All-llahut, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes". (Muttefekun alejhi)
408. Seleme ibni Ekva r.a. tregon se një njeri ka ngrënë te Pejgamberi s.a.v.s. me dorën e majtë, e i Dërguari i All-llahut i tha: "Ha me dorën e djathtë!" Ai tha: "Nuk mundem!" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Si nuk mundesh! Nuk e pengoi asgjë përveç mendjemadhësisë!" Pas kësaj, njeriu nuk e afroi dorën e majtë te goja". (Muslimi)
409. Xhebelete bin Suhajm thotë: "Një vit të urisë kam ngrënë hurma me Ibnu Zubejrin. Pranë nesh kaloi Abdull-llah ibni Umeri r.anhuma e ne ishim duke ngrënë hurma, ndërsa ai na tha: "Mos i hani nga dy hurma menjëherë, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka ndaluar që të hahen nga dy hurma përnjëherë", pastaj thotë: "Përveç nëse njeriu ia lejon vëllait të vet ngrënien e dy hurmave menjëherë". (Muttefekun alejhi)
410. Abdull-llah ibn Busr r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. kishte një enë që quhej "El-garrau", të cilën e çonin katër persona (sini apo sofër). Pasi që as-habët e falnin namazin e paradrekës (Salatu-d-Duha) e binin sofrën e madhe (me përshesh me valë) dhe uleshin të pranishmit rreth saj. Kur ishte numri i madh, atëherë Pejgamberi s.a.v.s. ulej në gjunj (që të ulen sa më shumë). Një beduin, i cili e kishte vërejtur, pyeti: "Çfarë ulje është kjo?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Vërtet All-llahu mua më ka bërë rob të ndershëm e nuk më ka bërë tiran kokëfortë". Pastaj tha: "Hani prej skajit të enës dhe lene mesin e saj që të keni bereqet në ushqim!" (Ebu Davudi)
411. Enesi r.a. thotë: "E kam parë Pejgamberin s.a.v.s. të ulur në pjesën e mbrapme të trupit duke ngrënë hurma". (Muslimi)
Preferohet ngrënia me tre gishta dhe lëpirja e gishtërinjve me yndyrë, ndërsa është mekruh (nuk preferohet) fërkimi i tyre para ngjyerjes, është mustehab që të fshihet ena, gjithashtu mustehab është marrja dhe ngrënia e kafshatës që të bie nga sofra, si dhe lejohet fshirja e tyre me ushqim tjetër.
412. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka urdhëruar lëpirjen e gishtërinjve si dhe lëpirjen e enës dhe ka thënë: "Ju nuk e dini se në cilin ushqim gjendet bereqeti". (Muslimi)
413. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse dikujt prej jush i bie kafshata e bukës, le ta marrë dhe le ta pastrojë nëse në të ka ndonjë send, pastaj le ta hajë, e mos t'ia lejë atë shejtanit. Kur ta kryejë ushqimin, mos t'i fshijë gishtërinjtë me faculetë derisa të mos i lëpijë, sepse nuk e di se në cilin ushqim është bereqeti". (Muslimi)
414. Enesi r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. hante ushqim, i lëpinte gishtërinjtë e vet tri herë dhe thoshte: "Nëse bie ndonjë kafshatë e juaj duhet marrë atë dhe duhet pastruar nëse në të ka diçka, dhe duhet ngrënë e të mos i lihet shejtanit". Ai na urdhëroi që ta fshijmë tepsinë dhe tha: "Ju nuk e dini se në cilin ushqim tuajin është bereqeti". (Muslimi)
415. Nga Seid ibni El-Harith tregohet se e ka pyetur Xhabirin r.a. rreth prishjes së abdestit me prekjen e ushqimit që e ka kapë zjarri, me ç'rast ai u përgjigj: "Jo! Vërtet ne në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. nuk gjenim ushqim të tillë, vetëm në raste të rralla, por edhe sikur të gjenim, ne në atë kohë nuk kishim faculeta, përveç skajeve të teshave të duarve dhe këmbëve tona. Pastaj faleshim dhe nuk merrnim abdest". (Buhariu)
Mustehab është që para pijes të mënjanohet çdo send që ka rënë, e sidomos ajo e cila është e dëmshme apo infektuese, edhe nëse kjo kërkon fryerje në enë, apo nga ana e jashtme e enës. Mustehab është që të mbahet dora e djathtë para pijes.
416. Nga Enesi r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. merrte frymë kur pinte ujë nga tri herë. (Muttefekun alejhi)
Merrte frymë jashtë enës së ujit. Transmetuesi nuk e ka përmendur shkakun.
417. Nga Ibni Abbasi r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mos pini përnjëherësht ashtu siç pijnë kafshët, por pini me dy ose me tre (gllënjka) së bashku. Përmendni emrin e All-llahut kur të filloni dhe falënderoni All-llahun kur ta përfundoni (pirjen)". (Tirmidhiu, hadith hasen)
418. Nga Ebu Katade tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar frymëmarrjen në enë (d.m.th. të lëshuarit e frymës në enë sh.k.). (Muttefekun alejhi)
419. Nga Sehl ibni Sa'd r.a. tregohet se Pejgamberit s.a.v.s. i kishin sjellur diçka për të pirë, piu prej saj, por në anën e djathtë kishte një djalosh, ndërsa në anën e majtë ishin disa njerëz të moshuar, e i Dërguari i All-llahut i tha djaloshit: "A më lejon mua që së pari t'u jap këtyre?" Djaloshi u përgjigj: "Jo, për All-llahun, unë askujt nuk i jap përparësi në atë që më takon prej teje". Pejgamberi s.a.v.s. me dorën e vet i dha të pijë".
Ky djalosh ishte ibni Abbasi (Muttefekun alejhi)
Mekruh është pirja nga ena e mbyllur, sikurse kanë qenë ibrikët, nga gryka e tyre, natyrisht se ky mekruh është mekruh tenzihi e jo tahrimi.
420. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet: "I Dërguari i All-llahut ndaloi kthimin e grykës së enëve për pije". (Fjala është për enë për pije prej lëkure, kur gryka e saj kthehet ashtu që pjesa e brendshme të dalë jasht). (Muttefekun alejhi)
421. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar fryerjen në ujë. Një njeri ka thënë: "Qimen të cilën e shoh në enë?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Derdhe atë!" Njeriu tha: "Unë nuk ngopem me një frymëmarrje". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Largoje atëherë enën nga goja jote (dhe merr frymë)!" (Tirmidhiu, hadith hasen)
422. Ibni Abbasi r.a. thotë: "I dhash ujë Pejgamberit s.a.v.s. prej Zemzemit dhe ai piu duke qëndruar në këmbë". (Muttefekun alejhi)
423. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka ndaluar që njeriu të pijë ujë në këmbë. Katade thotë: "E pyetëm Enesin: 'E ngrënia e ushqimit?'" Enesi u përgjigj: "Ajo është edhe më e keqe dhe më e shëmtueshme!" (Muslimi)
Në një rivajet të Muslimit thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka qortuar dhe e ka ndaluar pirjen në këmbë.
424. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Asnjëri prej jush të mos pijë në këmbë, e nëse harron, le ta kthejë". (Muslimi)
425. Ebu Katade r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ai që i shërben njerëzit në pije, pin i fundit". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
Lejohet pirja nga të gjitha enët e pastra, përveç enëve të arta dhe të argjendta. Lejohet pirja e ujit nga burimi pa e përdorur enën ose dorën e vet. Ndalohet përdorimi i enës së artë dhe të argjendtë në pije dhe ushqim si dhe në të gjitha përdorimet tjera.
426. Abdull-llah ibni Zejdi r.a. thotë: "Na erdhi Pejgamberi s.a.v.s. e i qitëm ujë në një enë bakri dhe ai mori abdest". (Muslimi)
427. Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka shkuar te një njeri prej Ensarëve dhe me të ishte një shok i tij. Pejgamberi s.a.v.s. i tha zotit të shtëpisë, ensariut: "Nëse ke ujë prej mbrëmë në kirbe (kirbe është enë prej lëkure për ujë që i ngjan janxhikut), e nëse jo, ne do të pimë ujë nga burimi, ( uji që ka qëndruar në kirbe është më i ftohtë)". (Buhariu)
Mustehab është veshja e rrobave të bardha, por lejohet veshja e ngjyrës së kuqe, të gjelbër, të verdhë, të zezë. Lejohet që rrobat të jenë prej pambukut, lirit, fijeve të leshit si dhe të materieve të tjera, përveç mëndafshit.
All-llahu i Madhëruar thotë:
"O djemtë e Ademit! Ju kemi dhënë rroba që t'i mbuloni vendet tuaja të turpshme dhe veshje për zbukurim, mirëpo rrobat e devotshmërisë janë më të mirat. Ato janë disa argumente të All-llahut që ndoshta të mblidhni mend". (el-A'raf:26)
All-llahu i Madhëruar prapë thotë:
"U jap edhe veshje që ju mbron nga të nxehtit, ju jap parzmore që t'ju mbrojnë në luftë". (en-Nahl:81)
428. Ibni Abbasi r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Veshuni me rroba të bardha, sepse ato janë vesh
Rijadu Salihin pjesa e tretë
E Martë, 23 Shkurt 2010; 12:58
RIJADU SALIHIN - III
Nga Imam Neveviu
600. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Sikur njerëzit ta dinin vlerën e ezanit dhe të safit të parë, ata nuk do të kishin mbetur pa hedhë short (se kush do ta thirrë ezanin dhe kush do të ulet në safin e parë)". (Muttefekun alejhi)
601. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: " Safi më i dobishëm ke meshkujt është safi i parë, ndërsa më i dëmshëm te ta është i fundit. Ndërsa safi më i dobishëm ke femrat është safi i fundit, kurse më i dëmshëm është safi i parë". (Muslimi)
602. Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. kishte vërejtur se disa as-habë rrinin mbrapa prandaj iu tha atyre: "Kaloni përpara dhe plotësojeni safin e parë, ndërsa safin pas jush le ta plotësojnë ata që vijnë pas jush. Përderisa disa njerëz vonohen edhe All-llahu do t'i lërë ata prapa". (Muslimi)
603. Enesi r.a. thotë: "Ne u ngritëm që të falim namazin, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. u kthye me fytyrë kah ne dhe tha: "Drejtoni safet dhe ngjeshni me njëri-tjetrin, sepse vërtet unë ju shoh pas shpine". (Rivajeti i Buhariut me fjalët e tij, ndërsa i Muslimit në këtë kuptim. Në një rivajet të Buhariut thuhet: "Krahu i çdonjërit ishte i ngjitur me krahun e tjetrit në saf, gjithashtu edhe këmbët".)
604. Nu'man ibni Beshiri r.anhuma thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Safet tuaja ose do t'i drejtoni, ose All-llahu do t'ua ndryshojë fytyrat juve". (Muttefekun alejhi)
Në një rivajet të Muslimit thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. i drejtonte safet tona, ashtu sikur drejtoheshin shigjetat, dhe kur e vërejti se ne e kemi kuptuar këtë, një ditë doli dhe kur kishte marrë qëndrimin të thotë "All-llahu ekber" vërejti një beduin, të cilit i kishte dalë kraharori jashtë safit, atëherë tha: "O robër të Zotit, ose do t'i drejtoni safet, ose All-llahu do t'i ndryshojë fytyrat tuaja, ose do të vëjë përçarje në mes jush".
605. Enesi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ngjeshni safet tuaja, afrojeni safin njërin pranë tjetrit, qafat bëni paralel. Për Atë që shpirti im është në duart e Tij, unë e shoh djallin se si hyn nëpër zbrazëtirat e safeve, ashtu sikurse futet delja e zezë". (Hadithi është i vërtetë, e transmeton Ebu Davudi sipas kushteve të Muslimit)
606. Enesi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Plotësojeni safin e parë, pastaj atë që vijon. Nëse duhet të ketë zbrazëti, të jetë në safin e fundit". (Ebu Davudi me isnad hasen)
607. Abdull-llah ibni Mugaffel r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Në mes dy ezaneve (në mes ezanit dhe ikametit) falet një namaz! Në mes dy ezaneve falet një namaz". Kur këtë e tha për të tretën herë, atëherë shtoi: "Për atë që dëshiron". (Muttefekun alejhi)
608. Aisheja r.anha thotë se: "Pejgamberi s.a.v.s. nuk i ka lënë katër rekate para namazit të drekës dhe dy rekate para namazit të sabahut". (Buhariu)
609. Aisheja r.anha thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Dy rekatet e namazit të sabahut janë më të dobishme se kjo botë dhe çdo gjë që ka në të". (Muslimi)
610. Ebu Abdull-llah Bilal ibnu Rebbah, muezini i Pejgamberit s.a.v.s., tregon se ka shkuar te i Dërguari i All-llahut për të thirrë ezanin e namazit të sabahut, por Aisheja e angazhoi atë (Bilalin) me një punë tjetër, kështu që u gdhi shumë. Bilali u ngrit dhe e thirri ezanin e namazit të sabahut e pastaj edhe ezanin e dytë. Pejgamberi s.a.v.s. nuk doli, ndërsa kur doli u fal me njerëz. Bilali e informoi të Dërguarin e All-llahut se Aisheja r.a. e kishte vonuar, duke i kërkuar që t'ia kryejë një punë, derisa agoi shumë, dhe ky ishte shkaku që e kishte vonuar. Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Unë isha duke i falur dy rekatet e sabahut". Bilali i tha: "O i Dërguari i All-llahut, ti je zgjuar vonë ?" Ai iu përgjigj: "Sikur të zgjohesha edhe më vonë se sa jam zgjuar do t'i kisha falur ato dyja duke i bërë mirë dhe bukur ". (Ebu Davudi)
611. Ibnu Umeri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. i falte natën nga dy rekate, ndërsa me një rekat të vitrit e mbaronte nafilen e natës. I falte nga dy rekate sunnet para farzit të sabahut, sikur ezanin ta kishte në vesh (për farzin e sabahut). (Muttefekun alejhi)
612. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. i falte në dhomën time para farzit të drekës nga katër rekate, pastaj dilte dhe falte me xhemat farzin, pastaj prapë hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate (sunnet). Kur e falte farzin e akshamit me xhemat, hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate (sunnet). Kur e falte namazin e jacisë, hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate (sunnet)". (Muslimi)
613. Ummi Habibe r.anha thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: " Kush i fal katër rekate para namazit të drekës dhe katër rekate pas, All-llahu do ta ruajë atë prej zjarrit". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen sahih)
614. Aisheja r.anha tregon se i Dërguari i All-llahut, nëse nuk i falte katër rekate para farzit të drekës (për ndonjë arsye), ato i falte pas farzit. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
615. Enesi r.a. thotë: "I kam vërejtur as-habët e vjetër dhe me autoritet të Pejgamberit s.a.v.s. se me të madhe nguteshin për të falë nafile namazin para akshamit". (Buhariu)
616. Enesi r.a. thotë: "Ne i falnim në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. nga dy rekate pas perëndimit të diellit dhe para farzit të akshamit". Të pranishmit në këtë bisedë pyetën: "A i falte Pejgamberi s.a.v.s. nga dy rekate para farzit të akshamit?" Enesi u përgjigj: "Ai neve na ka parë duke u falë, dhe nuk na ka urdhëruar e as nuk na ka ndaluar". (Muslimi)
617. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush e fal namazin e xhumasë (farzin), le t'i falë pas tij katër rekate". (Muslimi)
618. Zejd ibnu Thabit r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "O njerëz, faluni në shtëpitë tuaja. Vërtet namazi më i vlefshëm është kur njeriu falet në shtëpinë e vet, përveç namazeve të obliguara (farz)". (Muttefekun alejhi)
619. Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndokush prej jush e kryen namazin e vet (farzin) në xhami, të llogaritë edhe për shtëpinë e vet një pjesë të namazit, sepse vërtet All-llahu do të bëjë mirë në shtëpinë e tij prej namazit të tij". (Muslimi)
620. Aliu r.a. thotë: "Vitri nuk është i domosdoshëm sikurse namazet e obliguara (farzet), por I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. e bëri sunnet. Ai ka thënë: "Vërtet All-llahu është tek (vitr) dhe Ai e do tekun, prandaj faleni namazin e vitrit, o ju të zotët e Kur'anit!" (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
621. Ibnu Umer r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Bëne namazin e fundit tuajin natën vitr (tek)!" (Muttefekun alejhi)
622. Ebu Seid El-Hudriu r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Faleni namazin e vitrit para agimit të sabahut tuaj!" (Muslimi)
623. Ebu Dherri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Për çdo mëngjes, për çdo nyje tuajën jepet sadaka (lëmoshë). Çdo tesbih është sadaka, çdo tahmid është sadaka, çdo tehlil është sadaka, çdo tekbir është sadaka, urdhri për punë të mirë është sadaka, ndalimi i së keqes është sadaka. Për këto do t'u mjaftojnë dy rekate, të cilat falen në namazin e paradites - duhasë". (Muslimi)
624. Ummi Hani Fahita Binti Ebu Talib r.anha thotë: "Unë shkova te i Dërguari i All-llahut në vitin e çlirimit të Mekkes, dhe e kam gjetur duke u pastruar (gusul). Pasi është pastruar i ka falur tetë rekate. Kjo ishte në kohën e paradites - duhasë". (Muttefekun alejhi)
625. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë Bilalit r.a.: "O Bilal, më trego cila punë më së shumti të jep shpresë e të cilën e ke bërë në Islam? Vërtet unë e kam dëgjuar zhurmën e nallaneve tua para meje në Xhennet". Bilali u përgjigj: "Punën të cilën e kam bërë dhe prej së cilës shpresoj fitimin më të madh është ajo që asnjëherë ditën apo natën kur jam pastruar (kam marrë abdest) e që me atë abdest nuk kam falur atë që më është urdhëruar ta fal". (Muttefekun alejhi)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Kur të kryhet namazi i xhumasë, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni mirësinë e All-llahut dhe përmendeni All-llahun shpesh, ndoshta do të shpëtoni". (el-Xhuma:10)
626. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Pesë namazet, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan e shlyejnë çdo gjë në mes tyre, nëse shmangen gabimet e mëdha". (Muslimi)
627. Ibnu Umeri r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kur ndokujt prej jush i vjen dita e xhumasë, le të lahet". (Muttefekun alejhi)
628. Ebu Seid El-Hudriu r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Gusli (larja e përgjithshme e trupit) në ditën e xhumasë, është obligim për çdo musliman të rritur". (Muttefekun alejhi)
629. Semure r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kush merr abdest ditën e xhumasë, është e mjaftueshme dhe e bukur, ndërsa ai që pastrohet në tërësi është edhe më mirë". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
630. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka mbajtur fjalim (hutbe) një ditë të xhuma dhe në të ka thënë: "Në këtë ditë gjendet një moment (orë), nëse ai përputhet me një rob musliman duke falur, e që ai kërkon diçka prej All-llahut, me të vërtetë ai do ta arrijë atë". Pejgamberi s.a.v.s. dha shenjë me dorën e vet se janë të paktë ata të cilët e shfrytëzojnë këtë". (Muttefekun alejhi)
631. Ebu Burde ibni Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. thotë se Abdull-llah ibni Umeri r.anhuma ka thënë: "A e ke dëgjuar babanë tënd duke treguar se ç'ka thënë i Dërguari i All-llahut për vlerën e momentit të caktuar të ditës së xhumasë?" Ai u përgjigj: "Unë i thashë: "Po, e kam dëgjuar duke thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Ai moment i vlefshëm është në mes uljes së imamit dhe mbarimit të namazit". (Muslimi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe një pjesë të natës kaloje i zgjuar duke u falur! Kjo është vetëm për ty. Ndoshta Zoti yt do të ringjallë në një vend të lavdëruar". (el-Isra:79)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Ata ngrihen nga shtrati dhe bëjnë ibadet natën". (es-Sexhde:16)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Vetëm pak natën kanë fjetur". (edh-Dharrijat:17)
632. Salim ibni Abdull-llah ibni Umer ibni Hattab r.anhuma nga babai i vet Abdull-llahu transmeton se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "I mrekullueshëm është Abdull-llahu, vetëm sikur të falej edhe natën!" Salimi r.a. thotë: "Pas kësaj, Abdull-llah ibni Umeri r.a. nuk flente natën, vetëm pak". (Muttefekun alejhi)
633. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Agjërimi më i vlefshëm pas Ramazanit është agjërimi i muajit të All-llahut, Muharrem, ndërsa namazi më i vlefshëm pas farzeve është namazi i natës". (Muslimi)
634. Ibni Umeri r.anhuma thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Namazi i natës është nga dy rekate, ndërsa nëse i frikohesh sabahut, atëherë fale vitrin me një rekat". (Muttefekun alejhi)
635. Ibnu Umeri r.anhuma thotë: "Pejgamberi i falte natën gjithnjë nga dy rekate, ndërsa vitrin e falte vetëm një rekat". (Muttefekun alejhi)
636. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. nuk falte - në Ramazan apo jashtë tij - më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre! Pastaj prap i falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre! Pastaj i falte tre rekate. Unë i thashë: "O i Dërguari i All-llahut, a flen ti para se ta falësh namazin e vitrit?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Oj Aishe, sytë e mi flenë, por nuk flen zemra ime!" (Muttefekun alejhi)
637. Ibnu Mes'udi r.a. thotë: "Jam falur me Pejgamberin s.a.v.s. një natë dhe ai qëndroi aq gjatë saqë mendova diçka keq". Të pranishmit e pyetën: "Çka ke menduar?" Ibnu Mes'udi tha: "Mendova të ulem dhe të shkoj". (Muttefekun alejhi)
638. Abdull-llah ibni Amr ibnul As r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Namazi më i dashur te All-llahu është namazi i Davudit a.s., agjërimi më i dashur te All-llahu është agjërimi i Davudit a.s. Ai flente gjysëm nate, një të tretën e kalonte në namaz, pastaj prapë flente një të gjashtën. Ai një ditë agjëronte, e një ditë hante". (Muttefekun alejhi)
639. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. kur çohej të falej gjatë natës, e fillonte namazin me dy rekate të shkurta". (Muslimi)
640. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Nëse ndonjëri prej jush çohet gjatë natës, dhe nëse në mënyrë të pakuptueshme dhe pa vetëdije i shkon Kur'ani nëpër gjuhë, dhe nuk di se çka flet, atëherë le të shkojë të shtrihet në shtrat". (Muslimi)
641. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush i kalon netët e Ramazanit duke bërë ibadet, duke qenë i bindur në besimin islam dhe duke pasur qëllim të sinqertë, do t'i falen të gjitha gabimet e tij të mëparshme". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Vërtet ne e shpallëm atë (Kur'anin) natën e Kadrit". (el-Kadr:1)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Ne atë e zbritëm në një natë të bekuar". (ed-Duhan:3)
642. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush falet natën e Kadrit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe ka qëllim të sinqertë, do t'i falen gabimet e tij të mëparshme". (Muttefekun alejhi)
643. Aisheja r.anha thotë se Pejgamberi s.a.v.s. në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit bënte i'tikaf në xhami (mbyllej në të) dhe thoshte: "Lypeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit". (Muttefekun alejhi)
644. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. bënte ibadet (nuk flente) gjatë muajit të Ramazanit, atë që nuk e bënte ditëve të tjera dhe muajve të tjerë. Ndërsa në dhjetë ditët e fundit bënte ibadet më shumë se ditëve të tjera". (Muslimi)
645. Aisheja r.anha tregon se ka thënë: "O i Dërguari i All-llahut, çka mendon sikur unë të dija për një natë se ajo është nata e Kadrit, çka duhet të them unë atë natë?" Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Thuaj: "O Zoti im, Ti je falës, e don faljen, më fal mua!" (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
646. Hudhejfe r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. kur çohej prej gjumi e pastronte gojën e vet me misvak (furçë natyrore prej një lloj druri)". (Muttefekun alejhi)
647. Aisheja r.anha thotë: "Ne i përgatitnim të Dërguarit të All-llahut misvakun e tij dhe ujin e pastër, edhe atëherë kur All-llahu e zgjonte natën, ai e përdorte misvakun, merrte abdest dhe falej". (Muslimi)
648. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Me të madhe u porosis ta përdorni misvakun". (Buhariu)
649. Aisheja r.anha thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Misvaku është mjet për pastrimin e gojës dhe kënaqësi për Krijuesin". (Nesaiu dhe Ibnu Huzejme)
650. Ibnu Umeri r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mustaqet shkurtoni, kurse mjekrën lëshone!" (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Faleni namazin dhe jepeni zekatin!" (el-Bekare:43)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"Por u qe urdhëruar ta adhurojnë vetëm All-llahun, që si besimtarë të sinqertë t'u rrëfejnë fenë, edhe të kryejnë të falurit, edhe të japin zekatin, e ajo është fe stabile". (el-Bejjine:5)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"Merre zekatin nga pasuria e tyre që t'i pastrosh me të". (et-Tewbe:103)
651. Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): dëshminë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i All-llahut, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën Ka'bes dhe agjërimin e Ramazanit". (Muttefekun alejhi)
652. Talha bin Ubejdullah thotë: "Erdhi një njeri prej Nexhdit te Pejgamberi s.a.v.s. që kishte flokë të dendur. Ne dëgjonim zërin e tij, mirëpo nuk kuptonim se ç'thoshte, derisa iu afrua të Dërguarit të All-llahut dhe pyeti për Islamin. Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Islami është pesë kohë të namazit ditën dhe natën". Njeriu pyeti: "A jam i obliguar me diçka tjetër përveç këtyre?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Jo, vetëm nëse ti do në mënyrë vullnetare". Pejgamberi s.a.v.s. pastaj tha: "Agjërimi i Ramazanit". Njeriu pyeti: "A kam obligim tjetër përveç agjërimit?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Jo, përveç nafile".
Transmetuesi përmend: Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. përmendi dhënien e zekatit. Njeriu pyeti: "A kam obligim tjetër përveç zekatit?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Jo, vetëm nëse dëshiron vullnetarisht". Njeriu u kthye prapa duke thënë: "Betohem në Zotin, se as nuk do të shtoj e as nuk do të mungoj diçka prej këtyre". I Dërguari i All-llahut tha: "Do të shpëtojë nëse e thotë të vërtetën". (Muttefekun alejhi)
653. Ibnu Abbasi r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. e ka dërguar Muadhin r.a. në Jemen dhe i ka thënë: "Thirri të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i All-llahut, e nëse ata binden në këtë, atëherë informoi se All-llahu i ka obliguar me pesë kohët e namazit për çdo ditë dhe natë, nëse binden edhe në këtë, atëherë informoi se All-llahu i ka obliguar me zekat, që do ta marrish prej të pasurve të tyre e do t'ua shpërndash të varfërve të tyre". (Muttefekun alejhi)
654. Ibnu Umeri r.anhuma thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mua më është urdhëruar që t'i luftoj njerëzit (pabesimtarë), derisa të dëshmojnë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij, dhe derisa të falin namazin dhe të japin zekatin. E kur e bëjnë këtë, atëherë e kanë të mbrojtur prej meje gjakun dhe pasurinë e tyre, pos nëse i kanë hyrë në hak Islamit, llogaria e tyre është te All-llahu". (Muttefekun alejhi)
655. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Pasi i Dërguari i All-llahut është shpërngulur në ahiret (ka vdekur), Ebu Bekri u zgjodh për zëvendës të tij. Disa prej arabëve u kthyen në kufër (mosbesim). Atëherë Umeri r.a. tha: "Si do t'i luftosh njerëzit, kur Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Më është urdhëruar që t'i luftoj njerëzit derisa të mos thonë: 'La ilahe il-lall-llah'. Kush e thotë këtë është e lirë pasuria dhe shpirti i tij prej meje, përveç me hak, dhe llogaria me të është në kompetencën e All-llahut". Ebu Bekri atëherë tha: "Betohem në All-llahun se unë me të vërtetë do ta luftoj çdokend që e ndan namazin dhe zekatin. Zekati është obligim i pasurisë. Betohem në All-llahun se nëse ata nuk e japin zekatin edhe të kërpeshit (frenit) të deveve, të cilin ia jepnin Pejgamberit s.a.v.s., do t'i luftoj për mosdhënien e tij". Umeri r.a. tha: "Betohem në All-llahun, dhe atëherë nuk kam parë asgjë tjetër, vetëm se All-llahu e kishte hapur kraharorin e Ebu Bekrit për luftë dhe u binda se me të është e vërteta". (Muttefekun alejhi)
656. Ebu Ejjubi r.a. tregon se një njeri i ka thënë Pejgamberit s.a.v.s.: "Më trego për një vepër e cila më çon në Xhennet?" Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ta adhurosh All-llahun (T'i bësh ibadet), dhe të mos i bësh shok, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe ta ndihmosh farefisin". (Muttefekun alejhi)
657. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Asnjë pronar i arit dhe i argjendit (të hollave), që nuk i përmbush obligimet e veta, nuk do të mbetet në Ditën e gjykimit pa u farkuar me pllaka të zjarrta, që do të nxehen në zjarrin e Xhehennemit, dhe me të do të fërgohen anët e tij, balli, kraharori dhe shpina, dhe çdo herë që pllakat ftohen do të nxehen përsëri. Kjo do të jetë në ditën që do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet, në të cilën do të zbatohet gjykimi në mes njerëzve, robërve, dhe kur do t'i tregohet çdokujt rruga për në Xhennet ose në Xhehennem". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, çka do të bëhet me devetë, pasurinë e njeriut?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Edhe asnjë pronar i deves, që nuk i kryen obligimet e veta, e prej tyre mjeljen e saj ditën kur ajo shkon të pijë ujë. Çdo pronar që nuk i kryen obligimet e veta ndaj deves, në Ditën e Gjykimit do të shtrihet në një vend të rrafshtë dhe të gjerë, aq sa dy devetë e tij do të mund ta shkelnin me thundrat e tyre dhe ta kafshojnë me dhëmbët, kurdo që njëra prej tyre të kalojë mbi të, tjetra kthehet te ai, dhe ky mundim do të zgjasë një ditë, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet, derisa të kryhet gjykimi në mes robërve, dhe kur do t'i tregohet çdokujt rruga për në Xhennet apo Xhehennem". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, çka do të bëhet me lopët dhe delet?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Çdo pronar i lopëve ose deleve, i cili nuk i kryen obligimet e veta ndaj tyre, në Ditën e Gjykimit do të jetë i shtrirë në një vend të rrafshtë, kah lopët dhe delet e veta, dhe ato me brirët e tyre do ta therin dhe me thundrat e tyre do ta shkelin, e në mesin e tyre nuk do të ketë me brinjë të kthyer prapa, apo pa brirë e as me brirë të thyer. Kurdo që të kalojnë nëpër të parat, menjëherë pas tyre vijnë dhe kalojnë të tjerat. Dhe kjo do të jetë në një ditë, e cila do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet, derisa t'u shqiptohen gjykimet robërve dhe derisa të mos u tregohet rruga për në Xhennet apo Xhehennem". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, si do të veprohet me kuajt?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Kaloria ndahet në tri lloje: Për dikë do të jetë barrë, për dikë mbulesë dhe për dikë shpëtim. Sa i përket atij për të cilin është barrë, është ai që i mban kuajt për shkak të namit, kryelartësisë apo garave kundër muslimanëve, për të tillin kali është barrë...Sa i përket atij, për të cilin është mbulesë, është ai që mban kuaj në rrugën e All-llahut, dhe nuk i harron obligimet ndaj All-llahut dhe kujdeset për ta. Për njeriun e këtillë, kali është mburojë nga zjarri i Xhehennemit...Sa i përket atij, për të cilin është shpëtim, është ai që mban kuajt për hir të All-llahut dhe të muslimanëve, i cili i kullot në livadhe dhe kopshtije, gjithë atë që kalorët dhe kuajt e tyre e hanë në kullosa dhe ara, do të shkruhet aq numër i të mirave. Gjithashtu për çdo shërbim të tyre, të madh dhe të vogël, do të shkruhen të mira. Çdo kalim i distancës dhe hipja mbi një e më shumë lartësira do t'i shkruhen të mira, në numrin e gjurmëve dhe hedhurinave të tij. Çdo kthim i kalit nga ana e pronarit në lumenj dhe burime, në të cilat i jep ujë, i shkruhen të mira aq sa herë kali do të pijë ujë". Të pranishmit i thanë: "O i Dërguari i All-llahut, e si do të jetë me gomarët?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Mua nuk më është shpallë asgjë e posaçme për gomarët, përveç ajetit të përgjithshëm e universal: "Ai që punon mirë, sa grima - e sheh atë. Por, edhe kush punon keq sa grima - do ta shohë". (ez-Zilzal:7-8) (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që ishin para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm. Në ditë të caktuara me numër, por ai nga ju i cili është i sëmurë ose në udhëtim - atëherë tjera ditë me të njëjtin numër. Ndërsa ata që nuk mund ta mbajnë - kompensimi është të ushqejë një varfënjak. Dhe kush jep më tepër, vullnetarisht, ajo është mirë për të. Por, të agjëroni është më mirë, ta dini". (el-Bekare:183-184)
658. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kush i ndihmon dy shokë në rrugën e All-llahut, do të thirret nga të gjitha dyert e Xhennetit: 'O rob i All-llahut eja këtu, këtu është mirë'. Kush është prej atyre që bëjnë namaz, do të thirret nga dera e namazit, e kush është luftëtar i xhihadit do të thirret nga dera e xhihadit. Kush është prej atyre që agjërojnë, do të thirret nga dera Rejjan (Xhennet i posaçëm në të cilin hyjnë ata që agjërojnë). Kush është prej atyre që japin sadaka (lëmoshë), do të thirret nga dera e sadakasë". Atëherë, Ebu Bekri r.a. tha: "Pashë babën dhe nënën time, o i Dërguari i All-llahut! Për atë që thirret prej atyre dyerve, nuk do të ketë më mundime, e a do të ketë ndokush që do të thirret nga të gjitha ato dyer?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Po, dhe shpresoj që edhe ti do të jesh prej tyre!" (Muttefekun alejhi)
659. Sehl ibni Sa'd r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet në Xhennet është një derë, e cila quhet Rejjan, nëpër të cilën do të hyjnë Ditën e Gjykimit vetëm ata që agjërojnë, nëpër atë derë të tjerët nuk do të hyjnë. Do të thirret në atë derë ku janë agjëruesit. Do të çohen agjëruesit dhe nuk do të mundet tjetërkush të hyjë nga kjo derë, e pasi të hyjnë agjëruesit dera do të mbyllet e nuk do të mundet të hyjë askush tjetër". (Muttefekun alejhi)
660. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush e agjëron muajin e Ramazanit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe duke i kryer obligimet islame, do t'i falen gabimet e tij të mëparshme". (Muttefekun alejhi)
661. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kur të vijë muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehennemit dhe shejtanët lidhen me zinxhir". (Muttefekun alejhi)
662. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Agjëroni me të pamurit e hënës dhe bëni bajram me të pamurit e hënës. E nëse është vranësirë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë të Shabanit!" (Muttefekun alejhi)
Ky është teksti i Buhariut, ndërsa në rivajetin e Muslimit shtohet: "Nëse është vranët, atëherë agjëroni tridhjetë ditë!"
663. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut ishte njeriu më bujar, në mënyrë të veçantë kur i vinte Xhibrili a.s. Xhibrili a.s. i vinte Pejgamberit s.a.v.s. në Ramazan, çdo natë dhe me të studionte Kur'anin. Vërtet kur Pejgamberi s.a.v.s. takohej me Xhibrilin, ishte më bujar në veprat e mira se sa era që sjell shiun". (Muttefekun alejhi)
664. Aisheja r.anha thotë: "Kur vinin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari i All-llahut bënte ibadet natën dhe e çonte familjen e vet që të bëjnë ibadet, ndërsa dyshekun e vet me gjithë mbulojë e palonte". (Muttefekun alejhi)
665. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Në asnjë mënyrë, asnjëri prej jush të mos e pret Ramazanin duke qenë agjërueshëm, një apo dy ditë, përveç nëse ai agjërues është person që e mban agjërimin e vet të rregullt. Në atë rast atë agjërim të rregullt mund ta agjërojë". (Muttefekun alejhi)
666. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të mbetet edhe gjysma e muajit Sha'ban, atëherë mos agjëroni nafile!" (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
667. Enesi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Çohuni në syfyr sepse vërtet në syfyr ka begati". (Muttefekun alejhi)
668. Zejd ibnu Thabiti r.a. thotë: "Ne çoheshim në syfyr së bashku me të Dërguarin e All-llahut, e pastaj ngriheshim të falnim namazin". Njëri prej të pranishmëve pyeti: "Sa ishte intervali në mes syfyrit dhe sabahut?" Zejdi u përgjigj: "Sa pesëdhjetë ajete!" (Muttefekun alejhi)
669. Ibnu Umeri r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. i kishte dy muezinë: Bilalin dhe Ibni Ummi Mektumin. Për këtë Pejgamberi s.a.v.s. kishte thënë: "Vërtet Bilali e thirr ezanin gjatë natës, hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibnu Ummi Mektumi".
Transmetuesi thotë: "Intervali në mes tyre ishte sa njëri zbriste e tjetri hipte në vendin ku thirrej ezani". (Muttefekun alejhi)
670. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu i Madhëruar ka thënë: "Robtë e mi më të dashur janë ata që nguten në iftar (d.m.th. nuk e shtyejnë iftarin por bëjnë iftar në kohë)". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
671. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush harron dhe han ose pin, mos ta ndërprejë por ta vazhdojë agjërimin, sepse atë All-llahu e ushqeu dhe i dha të pijë". (Muttefekun alejhi)
672. Lekit ibni Sabire r.a. thotë: "Unë i kam thënë: 'O i Dërguari i All-llahut, më thuaj diçka për abdestin!' Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Merr abdest sipas rregullit, fërkoi gishtat në mes mirë, laje hundën deri në thellësi, përveç atëherë kur je agjërueshëm!" (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë: hadith hasen sahih)
673. Aisheja r.anha thotë: "Të Dërguarin e All-llahut e zinte agimi, e ai ishte xhunub (i obliguar të lahej), pastaj lahej dhe agjëronte". (Muttefekun alejhi)
674. Aisheja dhe Ummi Selema r.anhuma kanë thënë: "E zinte agimi të Dërguarin e All-llahut xhunub, pa parë ëndërr, pastaj agjëronte". (Muttefekun alejhi)
675. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Agjërimi më i vlefshëm pas Ramazanit, është në muajin e All-llahut, Muharrem, kurse namazi më i vlefshëm pas farzeve është namazi i natës". (Muslimi)
676. Muxhibete El-Bahilijete, nga babai i saj ose mixha transmeton se ai (njëri prej tyre) kishte shkuar te Pejgamberi s.a.v.s., mirëpo kishte munguar një kohë dhe kishte shkuar pas një viti. Gjatë kësaj kohe gjendja e tij kishte ndryshuar dukshëm, dhe ai tha: "O i Dërguari i All-llahut, a më njeh?" Pejgamberi s.a.v.s. ia ktheu: "Kush je ti?" Ky iu përgjigj: "Unë jam Bahiliu, që isha te ti vitin e kaluar". Pejgamberi s.a.v.s. atëherë i tha: "Ç'të ka ndryshuar, ishe i bukur?" Ky atëherë i tha: "Prej momentit që jam ndarë prej teje, asgjë nuk kam ngrënë ditën, por vetëm natën". I Dërguari i All-llahut i tha: "Ti e ke munduar vetveten!" Pastaj e këshilloi: "Agjëroje muajin e sabrit (durimit) dhe nga një ditë për çdo muaj!" Njeriu i tha: "Më shto mua sepse unë kam fuqi për agjërim!" Pejgamberi s.a.v.s. ia ktheu: "Agjëro dy ditë!" Bahiliu i tha: "Më shto edhe më shumë!" Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Agjëro tri ditë!" Ai prapë i tha: "Shto!" Pejgamberi s.a.v.s. atëherë i tha: "Agjëro prej muajve të mëdhenj: Muharrem, Rexheb, Dhul Ka'de dhe Dhul-hixh-xhe. Pastaj pusho, pastaj agjëro, pastaj pusho, pastaj agjëro dhe pastaj pusho së agjëruari!" Pejgamberi s.a.v.s. me tre gishtat e vet dha shenjë nga tri ditë".
Muaji i sabrit është muaji i Ramazanit. (Ebu Davudi)
677. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Nuk ka ditë, në të cilën veprat e mira janë më të dashura te All-llahu se sa këto ditë. Ato janë: dhjetë ditët e muajit Dhul-hixh-xhe". Të pranishmit pyetën: "O i Dërguari i All-llahut, e as xhihadi në rrugë të All-llahut?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "As xhihadi në rrugë të All-llahut, përveç nëse njeriu del vetë dhe me pasurinë e vet, dhe nuk kthehet me asgjë". (Buhariu)
678. Ebu Katade thotë: "E pyetën as-habët të Dërguarin e All-llahut për agjërimin ditën e Arefatit, e ai tha: "Agjërimi i Arefes i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që ka ngelur". (Muslimi)
679. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka agjëruar ditën e Ashurasë dhe ka urdhëruar agjërimin e kësaj dite. (Muttefekun alejhi)
680. Ebu Katade r.a. thotë se as-habët e kanë pyetur të Dërguarin e All-llahut për agjërimin e ditës së Ashurasë, e ai ka thënë: "Agjërimi i ditës së Ashurasë i shlyen mëkatet e vitit të kaluar". (Muslimi)
681. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Nëse mbetem gjallë deri në vitin e ardhshëm, me siguri do ta agjëroj ditën e nëntë të muajit Muharrem". (Muslimi)
682. Ebu Ejjubi r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kush e agjëron Ramazanin, e pastaj e përcjell edhe me gjashtë ditë të muajit Shevval, do të jetë sikur të kishte agjëruar tërë jetën". (Muslimi)
683. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Veprat prezentohen ditën e hënë dhe ditën e enjte, andaj dëshiroj që të prezentohet vepra ime duke qenë unë agjërueshëm". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
Muslimi e përmend këtë por pa fjalën agjërim.
684. Aisheja r.anha thotë: "I Dërguari i All-llahut kujdesej të agjërojë ditën e hënë dhe ditën e enjte". (Muslimi)
685. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Miku im s.a.v.s. më ka porositur për tri gjëra: "Agjërimin e tri ditëve për çdo muaj, faljen e dy rekateve të namazit të duhasë dhe faljen e namazit të vitrit para se të shkoj të flejë". (Muttefekun alejhi)
686. Ebu Derdai r.a. thotë: "I dashuri im s.a.v.s. më ka porositur për tri gjëra, të cilat nuk do t'i lë asnjëherë derisa të jem gjallë: Agjërimin e tri ditëve për çdo muaj, faljen e namazit të paradrekës (Salatu-d-Duha), dhe të mos shkoj të fle pa e falur namazin e vitrit". (Muslimi)
687. Ebu Dherri r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kur të agjërosh tri ditë për çdo muaj, atëherë agjëro të trembëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën ditë". (Tirmidhiu)
688. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut agjëronte e nuk hante gjatë ditëve të bardha, kur qëndronte në shtëpi, e as gjatë udhëtimit". (Nesaiu)
689. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka shkuar te Sa'd ibnu Ubadete dhe ky i ka sjellë bukë dhe vaj, prej së cilës ka ngrënë i Dërguari i All-llahut, e pastaj ka thënë: "Kanë bërë iftar te ju agjëruesit, kanë ngrënë te ju të devotshmit dhe mirëbërësit dhe janë falur për ju melaqet". (Ebu Davudi)
690. Ibnu Umeri r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut bënte i'tikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan". (Muttefekun alejhi)
691. Aisheja r.anha thotë se Pejgamberi s.a.v.s. bënte i'tikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan, derisa ndërroi jetë, pastaj bënin i'tikaf gratë e tij pas vdekjes së tij s.a.v.s.. (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Vizita Ka'bes, për hir të All-llahut, për atë që ka mundësi ta marrë këtë udhë ëshë obligim, e kush nuk beson, ani, All-llahu me siguri nuk është i varur prej askujt". (Ali Imran, 97)
692. Nga Ibni Umeri r. anhuma transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): dëshminë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i All-llahut, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën Ka'bes dhe agjërimin e Ramazanit". (Muttefekun alejhi)
693. Nga Ebu Hurejre transmetohet se ka thënë: I Dërguari i All-llahut na ka mbajtur një hutbe, me ç'rast ka thënë: "O njerëz!, vërtet All-llahu ua ka bërë obligim juve haxhxhin, prandaj kryjeni". Një njeri ka thënë: "A për çdo vit, o i Dërguari i All-llahut?" I Dërguari i All-llahut heshti, kurse ai njeri tri herë e përsëriti pyetjen. Atëherë i Dërguari i All-llahut tha: "Sikur të thosha "po", atëherë sigurisht do të ishte obligim i domosdoshëm për çdo vit, por ju këtë nuk do të mundni". Pastaj ka thënë: "Më lini me atë që u kam lënë juve, sepse para jush shumë kanë pësuar për shkak të pyetjeve të shumta dhe për shkak të kundërvënies pejgamberëve të tyre. Kur t'ju urdhëroj diç, atëherë atë kryene, nëse keni mundësi, por kur t'ju ndaloj diç, atëherë atë lëreni!" (Muslimi)
694. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Mëkatet e vogla të bëra ndërmjet dy umreve janë të falura. Kurse për haxhxhin e pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit". (Muttefekun alejhi)
695. Nga Aisheja r. anha transmetohet se ka thënë: "I kam thënë: "O i Dërguari i All-llahut, xhihadin e konsiderojmë si vepër më të mirë, andaj a nuk do të bëjmë xhihad?" (Muhammedi s.a.v.s.) ka thënë: "Vërtet për ju xhihadi më i vlefshëm është haxhxhi i pranuar". (Buhariu)
696. Nga Aisheja r. anha transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka ditë në të cilën All-llahu liron robër më shumë nga zjarri, se në ditën e Arefatit". (Muslimi)
697. Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Një umre në Ramazan është e barabartë me një haxhxh apo me një haxhxh me mua". (Muttefekun alejhi)
698. Nga Ibni Abbasi r. anhuma transmetohet se një grua tha: "O i Dërguari i All-llahut, vërtet obligimi i All-llahut ndaj robërve të tij me haxhxh e ka arritur babain tim plak me pleqëri të thellë, sa nuk mund të qëndrojë në mjetin e tij transportues, prandaj a mund ta kryej unë haxhxhin për të?" (Muhammedi s.a.v.s.) ka thënë: "Po!" (Muttefekun alejhi)
699. Nga Lekit b. Amiri r.a. transmetohet se ai ka ardhur te Pejgamberi s.a.v.s. dhe ka thënë: Vërtet babai im është plak i shtyer në moshë, nuk mund ta kryejë haxhxhin, umren e as të udhëtojë. (Pejgamberi s.a.v.s.) ka thënë: "Kryeje për të haxhxhin dhe umren". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen sahih)
700. Nga Saib b. Jezidi r.a. transmetohet se ka thënë: "Mua më kanë dërguar në haxhxh me të dërguarin e All-llahut s.a.v.s. në haxhxhin lamtumirës, kur unë kam pasur shtatë vjet". (Buhariu)
701. Nga Enese r.a. transmetohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. e ka kryer haxhxhin në samarin e kafshës ngarkuese me rroba e ushqim". (Buhariu)
All-llahu xh.sh. ka thënë:
"Numri i muajve të All-llahut është dymbëdhjetë, në Librin e All-llahut, prej ditës që krijoi qiejt dhe tokën, e nga këta, katër janë të shenjtë. Ajo është fe e qëndrueshme. Në këto mos bëni mëkate dhe luftoni kundër idhujtarëve, pa përjashtim, siç luftojnë ata të gjithë kundër jush, dhe ta dini se All-llahu është në anën e atyre, të cilët i frikohen All-llahut". (et-Tewbe. 36)
"Ju caktohet lufta (ju ngarkohet si detyrë) edhe pse e urreni atë. Ju ndoshta urreni ndonjë gjë, por ajo është e mirë për ju, ndoshta dëshironi diçka që është e keqe për ju. All-llahu e di, por ju nuk e dini". (el-Bekare, 216)
"Dilni në luftë, qofshi të dobët a të fortë, dhe luftoni për hir të All-llahut me mish e me shpirt. Nëse e dini, kjo është më mirë". (et-Tewbe, 41)
"All-llahu ka blerë nga besimtarët shpritrat dhe pasuritë e tyre me Xhennet - ata do të luftojnë për hir të All-llahut dhe do të vrasin e do të vriten. Ai këtë ua ka premtuar me siguri në Tevrat dhe Inxhil edhe në Kur'an - pra, kush i plotëson premtimet e veta më mirë se All-llahu? Pandaj gëzojuni pazarllëkut që e keni bërë me Të, Ai është shumë i madh". (et-Tewbe, 111)
"Besimtarët të cilët nuk luftojnë - përveç atyre që janë të paaftë për luftë - nuk janë të barabartë me ata që luftojnë në rrugë të All-llahut me pasigurinë dhe jetën e vet. Ata që luftojnë, te All-llahu janë në shkallë më të lartë. All-llahu të gjithëve u ka premtuar mirësi. All-llahu do t'u japë luftëtarëve, jo atyre që nuk luftojnë, shpërblim të madh. Shpërblime të larta prej Tij dhe falje e mëshirë. - All-llahu është shumë i mëshirshëm dhe fal". (en-Nisa, 95 dhe 96)
"O besimtarë! A doni t'ju udhëzoj në një tregti që do t'ju shpëtojë nga vuajtja e dhembshme". (es-Saff, 10)
Ajetet kur'anore për këtë temë janë të shumta dhe të njohura. Sa u përket haditheve për vlerën e xhihadit, ato janë më shumë se ato që do t'i përmendim, sikur që vijojnë:
702. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: Është pyetur i Dërguari i All-llahut, cila vepër është më e vlefshme? Ka thënë: "Besimi në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij". I është thënë: "Pastaj cila është?" Ka thënë. "Xhihadi në rrugën e All-llahut". I është thënë: "Pastaj cila është?" Ka thënë: "Haxhxhi i pranuar". (Muttefekun alejhi)
703. Nga Ebu Dherri r.a. transmetohet se ka thënë: I kam thënë: "O i Dërguari i All-llahut, cila vepër është më e vlefshme?" Tha: "Besimi në All-llahun dhe xhihadi në rrugën e All-llahut". (Muttefekun alejhi)
704. Nga Enesi r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Një ecje e mëngjesit apo një ecje e mbrëmjes në rrugën e All-llahut është më e mirë se bota dhe çdo gjë në të". (Muttefekun alejhi)
705. Nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. transmetohet se ka thënë: Erdhi një njeri te i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe tha: "Cilët njerëz janë më të vlefshëm?" Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "(Njeriu më i vlefshëm është) besimtari që lufton me shpirtin e pasurinë e tij në rrugën e All-llahut". (Ai njeriu atëherë) ka thënë: "Pastaj kush?" Ka thënë: "Pastaj besimtari që në njërën prej luginave kodrinore e adhuron All-llahun, duke i braktisur njerëzit për shkak të sherrit të tij (që mund ta kaplojë prej tyre)". (Muttefekun alejhi)
706. Nga Sehl b. sa'di r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Qëndrimi njëditor në rrugën e All-llahut është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të. Një vend i juaj në Xhennet është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të. Qëndrimi njëmbrëmësh apo njëditor i robit në rrugën e All-llahut të Madhëruar është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të". (Muttefekun alejhi)
707. Nga Selmani r.a. transmetohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Qëndrimi njëditor apo njënatësh në fushëbetejë është më i mirë se agjërimi mujor dhe falja në të. Nëse luftëtari vdes në fushëbetejë, do të shpërblehet për veprat të cilat do t'i bënte gjatë luftës, dhe do të shpërblehet për punën e tij rreth furnizimit dhe do të sigurohet nga sprovat e varrit". (Muslimi)
708. Nga Uthmani r.a. transmetohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Qëndrimi njëditor në rrugën e All-llahut është më i mirë se një mijë ditë tjera shtëpiake". (Tirmidhiu thotë se ky është hadith hasen sahih)
709. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Çdo i plagosur që është plagosur në rrugën e All-llahut do të vijë Ditën e Gjykimit duke i rrjedhë plaga e tij gjak: gjaku i plagës do të jetë në ngjyrë të gjakut kurse aroma e tij do të jetë aroma e miskut". (Muttefekun alejhi)
710. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: "Kaloi një shok i të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. nëpër një grykë (mali) ku ishte një burim i vogël uji të ëmbël, që i pëlqeu, dhe tha: "Sikur të izolohesha nga njerëzit dhe të vendosesha në këtë grykë, por këtë kurrë nuk do ta bëj derisa nuk më lejon i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., prej të cilit do të kërkoj leje". Ia tha këtë të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. e ai i tha: "Mos e bëj atë, sepse qëndrimi i njërit nga ju në rrugën e All-llahut është më i vlefshëm nga namazi i tij në shtëpinë e tij shtatëdhjetë vjet. A nuk dëshironi ju që All-llahu t'ju falë dhe t'ju futë në Xhennet. Luftoni në rrugën e All-llahut, sepse kush lufton në rrugën e All-llahut aq sa është koha ndërmjet dy mjeljeve të deves, për të është i sigurt Xhenneti". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen)
711. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: "I është thënë: "O i Dërguari i All-llahut, ç'është e barabartë me xhihadin në rrugën e All-llahut?" (Pejgamberi s.a.v.s.) ka thënë. "Ju këtë nuk mund ta bëni". Të pranishmit edhe dy apo tri herë janë drejtuar me këtë pyetje, kurse Pejgamberi s.a.v.s. çdo herë u përgjigjej duke thënë. "Ju këtë nuk mund ta bëni!" E pastaj ka thënë: "Shembuli i muxhahidit në rrugën e All-llahut është sikur shembulli i agjëruesit dhe falësit i cili në tërësi u nënshtrohet ajeteve të All-llahut, nuk pushon të falet, as të agjërojë derisa nuk kthehet muxhahidi nga rruga e All-llahut". (Muttefekun alejhi. Ky citat është sipas Muslimit)
Kurse sipas transmetimit të Buhariut: "Një njeri tha: "O i Dërguari i All-llahut, më udhëzo mua në një vepër të barabartë me xhihadin". (Pejgamberi s.a.v.s.) ka thënë: "Unë nuk mund ta gjejë!" Pastaj ka thënë: "A mundesh ti, kur të shkojë muxhahidi (në luftë), të hyshë në mesxhidin tënd, dhe të falesh pa ndërprerje dhe të agjërosh pa ndërprerje?" Pastaj ka thënë: "E kush mundet kështu?"
712. Nga Ebu Abs Abdurrahman b. Xhebri r.a. transmetohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka të ngjarë që këmbët e një robi të pluhurosen në rrugë ta All-llahut e pastaj ta prek zjarri!" (Buhariu)
713. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Asnjë njeri nuk do të hedhet në zjarr, i cili ka qarë nga frika prej All-llahut vetëm po të kthehet qumështi (që e ka pirë) në sisën e vet, as që do të bashkohet te një rob pluhuri i marrë në rrugë të All-llahut me tymin e Xhehennemit". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen sahih)
714. Nga Ibni Abbasi r.anhuma transmetohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Dy sy nuk do t'i përshkojë zjarri: Syri që qau nga frika prej All-llahut dhe syri që vëzhgoi në rrugë të All-llahut". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen)
715. Nga Zejd b. Halid r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush e përgatit me përgatitje një luftëtar në rrugën e All-llahut, edhe ai është luftëtar, kurse kush kujdeset dhe e furnizon me të mira familjen e luftëtarit gjatë mungesës së tij, po ashtu është luftëtar". (Muttefekun alejhi)
716. Nga Ebu Umame r.a. transmetohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Sadaka më e mirë është hija e çadrës në rrugën e All-llahut, ose dhënia e deves në shërbim në rrugën e All-llahut ose të një ati (a pele fisnike) në rrugë të All-llahut". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen sahih)
717. Nga Enesi r.a. transmetohet se një djalosh prej fisit Esleme ka thënë: "O i Dërguari i All-llahut, unë vërtet dua të luftoj në rrugën e All-llahut, por nuk kam me çka të përgatitem për luftë". (Pejgamberi s.a.v.s.) i ka thënë: "Shko te filani, sepse ai është përgatitur për luftë, por është sëmurë". Djaloshi erdhi te luftëtari i sëmurë dhe i tha: "Të ka bërë selam i Dërguari i All-llahut dhe ka thënë të më japish përgatitjen tënde luftarake. Njeriu tha: "Oj filane (shërbëtores vër. përk.), jepja krejt çka kam përgatitur dhe mos mbaj asgjë. Pasha All-llahun, mos lë asgjë prej tyre, që edhe ti të kesh bereqet në përgatitje". (Muslimi)
718. Nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i ka dërguar mesazh Beni Lahjanit: "Çdo dy veta le të dërgojnë një, kurse shpërblimi u ndahet të dyve". (Muslimi)
Në një transmetim tjetër të tij hadithi është: "Le të dalë në radhët luftarake nga çdo dy veta njëri". E pastaj i tha njërit që pat mbetur në shtëpi: "Kushdo nga ju që kujdeset për familjen dhe pasurinë e atij q&
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|